Ingrid Betancourt është një politikane kolumbiano-franceze, ish senatore dhe aktiviste anti-korrupsion, veçanërisht kundër korrupsionit politik. Betancourt ishte në garën presidenciale në Kolumbi në vitin 2002 kur u rrëmbye nga organizata guerrilase e njohur si FARC, apo Forcat e Armatosura Revolucionare të Kolumbisë. Për gjashtë vjet e gjysmë ajo jetoi si pengu i tyre në xhungël. Deri në momentin kur qeveria kolumbiane ndërmori një aksion të guximshëm për lirimin e pengjeve, ajo nuk ishte e sigurtë nëse do të takonte sërish të afërmit e saj. Sot në lri ajo ia ka kushtuar të gjithë kohën, respektimit të të drejtave të njeriut veçanërisht në ato vendë shkeljet janë të dukshme siç thekson ajo është rasti i Iranit. Bettancourt ka dhënë një intervistë për emisionin Diplomaticus të gazetarit Erion Kaçorri në televizionin News 24 ku ajo ndan eksperiencat dhe tmerret e të qënurit peng në xhunglën e Amazonës. 

Zonja Betancourt, ju u rrëmbyet në vitin 2002 duke u mbajtur peng për gjashtë vjet nga organizata FARK, forca e armatosur revolucionare e Kolumbisë. Cfarë mund t’i thoni publikut shqiptar në lidhje me këtë eksperiencë?

Mund të them shumë gjëra, por ndoshta më e rëndësishmja është se thesari ynë është liria. Ai është themeli i dinjitetit tonë njerëzor. Kur na heqin lirinë dhe nuk mund të jetojmë bazuar në vlerat dhe parimet tona atëhere jetojmë si kafshët. Gjatë kohës së rrëmbimit në xhungël, trajtimi kafshëror, e lidhur pas një peme për pothuajse shtatë vjet, duke u abuzuar dhe torturuar.

Cfarë lloj abuzimesh?

Të gjitha llojet e abuzimeve. Abuzim psikologjik, abuzim fizik dhe perversitet. Kur ke të bësh me njerëz të cilët kanë fuqinë për të të vrarë sepse janë të armatosur dhe nuk njohin asnjë ligj, ti je thjeshtë komoditet për ata dhe jeta jote është sikur ata e kanë marrë me ujdi dhe mbetesh në dorën e njerëzve që mund të jenë shumë perversë dhe si grua, kjo i bën gjërat edhe më të vështira. Une isha në duart e një organizate Maçiste, një grup guerrilas komunistë dhe mua më shikonin si armik i klasave. Unë gjithashtu isha një armike sepse isha politikane dhe gjithashtu një grua dhe kështu shikohesha si rrezik sepse të gjithë këta burra ishin shumë të frikësuar se mund të joshja dikë dhe të arratisesha. Dhe për pasojë, trajtimi ishte veçanërisht i ashpër ndaj meje.

Zonja Betancourt, përse ju rrëmbyen?

Më rrëmbyen sepse isha një politikane e njohur, garoja në zgjedhjet presidenciale dhe ata kërkonin dikë që do i ekspozonte në media. Në momentin që u rrëmbeva, i gjithë kombi dëgjoi për organizatën FARK, Jo vetëm kolumbianët, por e gjithë bota. Në këtë mënyrë FARK-ut nisi t’i dëgjohej zëri dhe të kishte të drejtën e fjalës sepse më kishin mua peng. Ata më kishin rrëmbyer dhe gjithashtu ekzistonte problemi i qeverisë në Kolumbi sepse politikisht isha në opozitë dhe mendoj se të gjithi kishin interes për të më mbajtur larg politikës.

Mendoni se rrëmbimi u organizua nga qeveria?

Nuk mendoj se u organizua nga qeveria, por mendoj se qeveria ishte përgjegjëse për shumë gjëra që ndodhen. Ditën e rrëmbimit tim ata më kishin larguar truprojat, sigurinë time. Më lanë që të shkoj në një vend të rrezikshëm pa informacion se përbënte rrezik. Sipas informacionit që kisha vendi ishte i rrethuar me prani ushtarake dhe helikopterë.

Përse ndodheshit në atë zonë?

Isha në fushatën time presidenciale dhe po shkoja në një fshat që kishte rëndësi sepse bisedimet e paqes ishin mbajtur në atë fshat dhe kryetari i komunës së atij fshati ishte nga partia ime. Dhe ai më kishte telefonuar mua sepse ishte frikësuar duke qënë se bisedimet e paqes kishin përfunduar dhe mund të shndërroheshin në një shenjstër dhune nga të gjitha grupet që ishin kundër bisedimeve të paqes. Presidenti i Kolumbisë në të njëjtën ditë shkoi tek i njëjti vend dhe ai nuk pati asnjë problem. Ai donte t’i vërtetonte kolumbianëve se ai vend ishte përmirësuar, se ushtria e kishte vënë nën kontroll dhe se nuk kishte asnjë problem për të shkuar atje. Ai më mohoi mua si kandidate e opozitës të drejtën për tu mbrojtur. Në atë situatë ai mban përgjegjësi personale për atë çfare ndodhi.

Zonja Betancourt, teksa mbaheshit peng për një kohë kaq të gjatë a menduat ndonjëherë se tashmë ka përfunduar gjithçka dhe se nuk do të dilni e gjallë prej aty?

Unë gjithmonë kisha besim. Isha në gjendje të shpëtoj. Bëra kaq shumë tentativa për t’u arratisur. Një sërë përpjekjesh. Madje arrita të largohesha, por mbijetesa në xhungël ishte shumë e vështirë.

Mu desh një kohë e gjatë për të mësuar sesi të mbijetoj dhe të gjithë eksperiencën e ndava me pengjet e tjera…

Sa pengje ishit?

Ishin shumë. Në një moment ishin 65 pengje, por nga fundi i pengmarrjes time mbetem pesë vetë. Na kishin ndarë në grupe të vogla për të patur mundësinë që të lëviznim më shpejt sepse po ndiqeshim nga ushtria kolumbiane. Por një nga pengjet që ishte me mua të cilin e ndihmova që të arratisej, ai jo vetëm u arratis, por mundi të sigurojë lirinë dhe me informacionet që mori nga ne, u mundësua një vit e gjysmë më pas operacioni i shpëtimit.

Zonja Betancourt, si mbijetuat? Ku flinit? Si ushqeheshit? 

Ushqeheshim me oriz dhe thjerrëza kur mund të haheshin. Sigurisht që ishte e vështirë. Në mes të xhunglës furnizimi ishte një sfidë. Flinim në tokë, mbi një fletë gome në çadra ushtarake. Kështu që helikopterët dhe avionët që mbikëqyrnin zonën nuk arrinin të na gjenin. Pra ishim nën kamuflazh.

Kur nisi komuniteti ndërkombëtar që të reagojë?

Familja ime bëri një punë të jashtëzakonshme duke ndërgjegjësuar komunitetin ndërkombëtar. Unë jam gjysmë franceze dhe gjysmë kolumbiane. Ishte vendi im i dytë Franca që më çliroi. Franca u tregua e jashtëzakonshme. Franca përpiqej çdo ditë që të gjente një zgjidhje.

Kjo ndodhi gjatë presidentit Sarkozi i cili u angazhua maksimalisht për mua. Por njëkohësisht ishte edhe puna e palodhur e ish presidentit Shirak dhe kryeministrit Dominik De Vilpën cili është miku im personal. Ata bënë gjithçka për të më liruar nga pengmarrja edhe pse ishte shumë e vështirë. Kolumbia nuk ishte ndonjë bastion i Francës Ajo është zone influence e Shteteve të Bashkuara. Sidoqoftë ishte falë bashkëpunimit të ekipeve të inteligjencës franceze dhe amerikane së bashku me ato kolumbiane. Që të gjithë punuan në solidaritet për të më çliruar.

Gjatë kohës që ishit peng nisët të mendoni për të drejtat e njeriut?

Une kam menduar për të drejtat e njeriut që ditën e parë që u angazhova në politikë, pra në moshë fare të re. Të drejtat e njeriut në një vend si Kolumbia janë thelbi i problemit. Kemi shumë korrupsion. Kemi patur problemin e Pablo Eskobarit dhe karteleve të drogës, kokainës. Dhe më pas kishim problemin e guerrilasve. Kishim grupe të ndryshme organizatash ilegale të armatosura që vrisnin njerëzit. Më pas kishim sistemin ku drejtësia nuk ishte pika më e fortë. Kemi problem në vendosjen e drejtësisë në Kolumbi.

Kjo për shkak të kokaines dhe trafikut?

Po. Kemi të bëjmë me një vend plot korrupsion dhe dhunë, pra politikës i hyra pikërisht për të drejtat e njeriut. Për drejtësinë, për drejtësinë sociale sepse kemi gjysmën e popullatës në mizerje dhe dallimi mes shumë të pasurve dhe shumë të varfërve ishte diçka që vërtet nuk mund të pranohej.

Dhe vazhdon të jetë kështu?

Më pak tani. Mendoj se Kolumbia ka bërë një punë shumë të mirë dhe qeveria e ish presidentit Santos e reduktoi varfërinë me 40 përqind. Padyshim që varfëria është e madhe, por shumë njerëz që ishin shumë të varfër tani kanë mundësinë të shkollohen dhe të punësohen. Ka shumë për tu bërë, por ajo që nënkuptoj është se kur ekziston vullneti politik gjërat janë të mundura.

Pra trafiku i drogës nuk e ka bërë Kolumbinë më të pasur…

Jo, në fakt e ka shndërruar Kolumbine në një ferr.

Zonja Betancourt, ju sot ndodheni në Shqipëri. Keni qënë këtu edhe herë të tjera. Cila është arsyeja e vizitës së sotme?

Kam ardhur të vizitoj grupin MEK në Shqipëri, është një organizatë që e admiroj dhe e respektoj. Për herë të parë i kam takuar ata në vitin 2011. Më kujtohet që u ftova nga një mik për t’i takuar ata. Bëra një kërkim në internet mbi këtë grupim dhe informacionet ishin negative. I quanin terroristë dhe njerëz të dhunshëm. Pastaj mendova, miku im është një njeri i mirë. Ai nuk është një person negativ. Dua t’i shikoj vetë se çfarë përfaqësojnë ata. Unë kisha qenë peng i terroristëve në xhungël për shumë vite dhe e di sesi një terrorist sillet, si ata mendojnë dhe veprojnë. Më pas u ftova në një prej konferencave të tyre. Dëgjova fjalimet dhe propozimet e tyre dhe më pas u takova me zonjën Raxhavi, drejtuesen e tyre dhe që nga ai moment jemi bërë mike. Unë mendoj se ajo është një zonjë e jashtëzakonshme, një lidere grua që kundërshton një diktaturë që përdor fenë kundër grave, që e ka varfëruar vendin. Unë mendoj se Iranianët në Iran sot janë peng i qeverisë së tyre.

Po thoni se mund të jetojnë më mirë?

Unë shpresoj që demokracia të mund të shkojë në Iran dhe mendoj se zonja Raxhavi është një opsion. Unë ndodhem këtu sepse grupi MEK ka kaluar në një situatë shumë të vështirë. Ata kanë jetuar për shumë vite në Irak. Grupi MEK dhe Amerikanët nisën një marrëdhënie shumë të mirë, por amerikanët u larguan nga Iraku dhe në pushtet erdhi qeveria irakiane që u shndërrua në një marionetë të Iranit. Grupi MEK u kthye në një shenjestër dhe në Europë po i shikonim gjërat që po ndodhnin në Irak dhe e dinim se këta njerëz duhet të largoheshin nga Iraku, por nuk dinim se ku t’i çonim. Dhe aty doli Shqipëria që u tregua e jashtëzakonshme. Unë vij këtu që të takoj grupin MEK, por edhe që të falënderoj Shqipërinë.

Jeni takuar me autoritetet shqiptare?

Kam takuar disa prej autoriteteve Shqiptare dhe kam krijuar përshtypjen se në Shqipëri që të gjithë të ndihmojnë si në qeveri ashtu edhe në opozitë. Që të gjithë ata që takoj janë njerëz të cilët e kuptojnë problemin. Kjo ka ndryshuar edhe mënyrën sesi e shikojmë ne Europë Shqipërinë sepse e ka vërtetuar se është një partner serioz në negociata. Jam shumë e prekur sesi u keni dhënë zgjidhje dhe siguri njerëzve të cilët ishin nën shenjestër.

Sepse janë opozita?

Sepse janë opozita e vetme e Iranit.

Zonja Bettancourt, i keni vizituar ambientet e reja të MEK në Manëz? Cfarë patë atje?

Unë në fakt po qëndroj atje…

Vërtet? Pra nuk qëndroni në hotel?

Jo, une u kërkova atyre që të qëndroj atje sepse unë gjithmonë dëshiroja t’i vizitoja ata kur ishin në Irak, por nuk ishte e mundur. Më pas nisën bombardimet dhe as nuk diskutohej që të shkoja atje. Këtu unë vendosa të qendroj me ata. Ata po ndërtojnë ambiente të jashtëzakonshme me duart e tyre. Ata janë mikëpritës dhe më kanë pritur në mënyrë shumë të mirë. Sot arrita të vizitoj të gjithë ambientet e tyre dhe janë të jashtëzakonshme. Ata kanë dentistë, okulistë, kardiologë, por merren edhe me vendosjen e protezave për gjymtyrët sepse kanë shumë njerëz të plagosur nga bombardimet në Irak. Më thanë se ata po punojnë edhe me mjekët shqiptarë madje kishin edhe një bashkëpunim për fëmijët vendas.

Pra po bëjnë edhe punë humanitare…

Po dhe po e tregojnë me fakte. Shumë e bukur.

Zonja Betancourt, si e shikoni situatën në Iran dhe cili është roli i MEK?

Roli i MEK është shumë i rëndësishëm sepse është e vetmja opozitë, një opozitë demokratike. Marjam Raxhavi ka shpalosur një plan prej 10 pikash tek i cili ne besojmë. Ne besojmë te demokracia. ne besojmë te shteti i së drejtës, ne besojmë te paqja dhe te barazia gjinore ku gratë gëzojnë të njëjtat të drejta me burrat. Të gjitha këto gjëra që ne i marrim si të mirëqëna, në Iran nuk ekzistojnë. Atje njerëzit varen në pemë sepse mendojnë ndryshe dhe se nuk mbështesin qeverinë. Atje ekzekutohen të moshuarit, gratë shtatzëna dhe fëmijet 11 vjeçarë sepse kërkojnë një jetë ndryshe. Unë mendoj se Mek është një burim shprese për Iranianët të cilët janë në protestë. Prej një viti ata kanë protestuar në të gjithë Iranin. I kam ndjekur protestat dhe habitem që mediat në perëndim nuk informojnë për ato që po ndodhin në Iran.

(BalkanWeb)

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb