ITALI– “Europa po copëtohet dhe ne kemi maksimumi 10 vite për ta shpëtuar”, theksoi ish-ministri grek i Financave, Janis Varufakis, në prag të 60-vjetorit të Traktatit të Romës duke shtuar se nuk kishte asgjë për të festuar

“Çfarë të festojmë ekzaktësisht? Fakti që ata përmendin një Europë me shumë shpejtësi tregon se ata kanë pranuar dështimin”, deklaroi Varufakis në Romë, ku 27 presidentë dhe kryeministra u pritën sot.

“Ata nuk e kanë fare idenë për mënyrën se çfarë duhet të bëjnë për të krijuar një Europë të bashkuar”, shtoi ish-ministri, i cili ishte i pranishëm për të promovuar “Diem 25” (Lëvizja për Demokraci në Evropë – 2025), lëvizja panevropiane që themeloi për të reaguar në mbështetje të kauzës më shumë demokraci në BE.

Për atë që sfidoi, por pa sukses, Gjermaninë dhe kreditorët e mëdhenj botëtorë në kohën e krizës greke, mënyra e drejtuesve evropianë për të bërë sikur asgjë nuk ka ndodhur, po nxit flakët e ksenofobisë dhe populizmit.

Për një “New Deal” europian, ai propozon që Banka Europiane e Investimeve të japë bono thesari për të mbështetur rritjen ekonomike.

“Ata mund të financojnë teknologjitë e gjelbra dhe të garantojnë punësimin në rajonet evropiane në vështirësi duke reduktuar gjithashtu migracionin ndër-europian që ka kontribuar në zgjedhjen e britanikëve për të dalë nga BE”, theksoi ai.

“Diem 25′ nuk është thjesht një lëvizje e majtë. Ajo po provon të realizojë atë që demokratët evropianë duhet të kishin bërë në vitin 1930, pas rrëzimit të Wall Street (në 1929), dhe menjëherë para se Evropa të rrëshqasë në greminë”, shtoi Varufakis.

Sipas tij, një krizë do të shfaqet në kohën kur Mario Draghi, guvernatori i Bankës Qendrore Europiane (BQE), do të mbyllë rubinetin e programit për blerjen e borxhit.

“Të gjithë e dinë që Draghi është në një situatë shumë të vështirë, ai duhet të vendosë normat e interesit dhe të menaxhojë riblerjen e borxhit për Gjermaninë dhe Spanjën, që kanë inflacion, dhe për Greqinë dhe Italinë që nuk kanë”, nënvizoi ai.

“Diem 25” është perceptuar si një platformë për zhvillimin e politikave që partitë do të miratojnë. Por, Varufakis nuk përjashtoi prezantimin e kandidatëve të tij në zgjedhjet evropiane 2019.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb