Të 61 kryetarët e rinj të 61 bashkive tona (vetëm njëri prej tyre nuk është socialist), për punë ditësh do të ulen në tavolinat e tyre të punës. Edhe pse disa ish-kryetarë bashkish të opozitës do të provojnë të mos dorëzojnë çelësat, duke tundur dekretin e kryetarit të shtetit për zgjedhjet vendore më 13 tetor. Por çelësat e padorëzuara në disa bashki do të jenë problemi më i vogël me të cilin do të përballen këta 61 drejtues. Reforma territoriale dhe administrative e vitit 2014 ka dështuar në shumë përmasa dhe objektiva të saj. Ndërsa ka krijuar 61 superbashki (rezultati i vetëm dhe i dukshëm i saj), kjo reformë nuk ka sjellë qëndrueshmëri financiare të bashkive, rritje të qenësishme të të ardhurave dhe efektshmëri në kryerjen e shpenzimeve. Borxhi në rritje të vazhdueshme i bashkive tona (për të cilin është shqetësuar edhe Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe e ka denoncuar dhe kërkuar urgjentisht menaxhimin e tij Kontrolli i Lartë i Shtetit), sot ka arritur në mbi 84 milionë euro. Bashkitë kanë grumbulluar detyrime për fatura të palikuiduara ndër vite, për arsye të kryerjes së punimeve apo shërbimeve nga kompanitë private që kanë kontraktuar, pa i siguruar më parë fondet e nevojshme për kryerjen e tyre. KLSH-ja ka kërkuar përgatitjen e një strategjie për trajtimin e borxhit të bashkive. Mirëpo ky dokument nuk është përgatitur.

Bashkitë mbledhin 20 lloje taksash vendore (taksa mbi pasurinë (ndërtesat dhe tokës bujqësore), taksa mbi kalimin e pronësisë, taksa e ndikimit në infrastrukturë për ndërtimet e reja, taksa e regjistrimit të automjeteve, taksa për zënien e hapësirave publike, tarifa e pastrimit, taksa e truallit, taksa e tabelës dhe reklamës, tarifa e shërbimit-pastrimit, ndriçimit dhe gjelbërimit etj.). KLSH-ja thotë se në planifikimin e të ardhurave nga këto taksa, disa bashki nuk mbajnë parasysh as realizimin e tyre një vit më parë! Sipas auditit publik, nuk ka procedura të shkruara për ndjekjen e debitorëve të periudhave të mëparshme. Në shumë raste nuk ka pasur një transferim të saktë të listës së këtyre debitorëve gjatë procesit të kalimit të kompetencave nga ish-komunat drejt bashkive. Kjo ka krijuar një mish-mash të vërtetë në mbledhjen e të ardhurave në bashkitë tona. Ato nuk bashkëpunojnë me Zyrat e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme apo me ato të ALUIZNI-t. Kjo ka sjellë pasoja të zgjatjes së procesit të regjistrimit të pronave bashkiake, me vonesa deri në disa vite, si dhe moskryerjen në kohë të shërbimit të paguar nga qytetari. Po ashtu, edhe uljen e cilësisë dhe të transparencës së shërbimit të ofruar disa nga bashkitë. Ujësjellesët bashkiakë, me përjashtime të pakta, i gllabërojnë buxhetit të shtetit nga 12 milionë euro çdo vit subvencion, për të mos lënë qytetarët pa ujë. Kandidatët e bashkive të Partisë Socialiste në 28 ditët e qershorit në fushatë, me përjashtime të pakta, kanë luajtur UFO-t.

Duke mos përmendur asnjë nga këto probleme të mprehta dhe sfida me të cilat përballen dhe do të përballen realisht institucionet që do të drejtojnë. Kjo përballje do të konsumohet në sytë e këshilltarëve bashkiakë njëngjyrësh! Vetëm të Partisë Socialiste. Debati në këshillat bashkiake, për shkak të këtij njëngjyrëshi, ose do të jetë fals, ose s’do ketë fare. Demokracia vendore do t’i ngjajë një luleje të venitur, pse nuk merr ujë. Një kryetar bashkie pa një këshill bashkiak funksional është si një ronin. Një samurai pa padron në kohën e Japonisë feudale. Dhe këta roninë do të shndërrohen në drejtues shëtitës për fonde. Ngaqë, në mungesë të kërkesës së fortë të llogarisë, do të shikojnë punët e tyre, ende pa i hequr premtimet zgjedhore nga goja. Një pjesë jo e vogël e këtyre 61 “roninëve” do të merren fillimisht vetëm me tenderat që do të shpërndajnë lart e poshtë. Më vonë, kur të mos kenë realizuar të ardhurat bashkiake ashtu siç duhet dhe të jenë në mungesë ulëritëse parash, do të rendin në dyert e Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë si pula kokëprera në kërkim të fondeve për hatëre politike. Pa një këshill bashkiak që të kërkojë llogari nga kryebashkiaku, këta roninë rrezikojnë të shndërrohen në drejtues vegjetativë. E vetmja dritë në fund të këtij tuneli të rrezikshëm vendor, krahas denoncimeve të KLSH-së mund të jetë patronazhi për bashkitë problematike (sidomos atyre veriore) nga ana e bashkisë së kryeqytetit. Kjo bashki nga vullneti dhe mënyra se si është menaxhuar katër vitet e fundit përbën në vetvete një histori suksesi në grumbullimin e të ardhurave, por jo shpenzimeve me formulën “magjike” Partneritet Publik-Privat.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb