Ndoshta pakkush e di se premiera e parë e Teatrit të Kukullave ishte “Fatbardha”, e shkrimtarit rus Shnejdor. Ndërsa regjisori i parë ishte Xhemal Broja, i cili mblodhi aktorët e parë si: Marta Burda, Eleni Plasari, Ana Kçira, Myftar Armiri, Avni Resuli e Tiftire Keta, Qenan Toro, Enver Dauti, Melpomeni Çobani etj. Kukullat u përgatitën nga piktori Ndoc Kodheli, dekoret nga piktori Rrok Dabërdaku dhe kostumet nga Veta Stillu.

Teatri i parë profesionist i Kukullave, ishte i përbërë vetëm nga 12 persona nga të cilët: Një regjisor, një piktor për kukullat e skenat, pesë aktorë, një marangoz, një rrobaqepës, një elektricist, një mashinist dhe një llogaritar. Të gjithë këta krijues dhe artistë do të kujtohen në ceremoninë e 65-vjetorit të Teatrit të Kukullave ku do të mblidhen artistët më në zë të tij dhe do të shfaqet premiera “Hipopotami Misterioz”, me regji nga regjisori rus Vladimir Berkun.

Në 65 vite janë dhënë 300 premiera në Teatrin e Kukullave. Nga shfaqja në shfaqje trupa e teatrit punoi vazhdimisht për futjen e formave dhe teknikave të reja për t’ju përshtatur cilësive të kohës. Vit pas viti filluan të përdoren kukulla me tela, marioneta, maska, teatri i hijeve, pantonima dhe shfaqjet me aktorë. Në 65 vite numërohen 60 regjisorë shqiptarë dhe të huaj që kanë vënë premiera në Teatrin e Kukullave. Regjisorët kanë bërë një punë të jashtëzakonshme për konceptimin e shfaqjeve për fëmijë, gërshetimin e teknikave dhe lojës së aktorëve. Regjisorët e parë të Teatrit janë: Xhemal Broja, Llazar Verria, Pandi Stillu, Selman Vaqari, Xhavit Sallaku, Pleurat Armiri, etj.

Më pas është regjisorja Lavdie Toro, e cila luan një rol të rëndësishëm në Teatër. Në vitin 1997 stafeta merret nga regjisorja Klaudia Hila. Të shumtë janë regjisorët që i janë bashkuar Teatrit të Kukullave deri në këtë përvjetor si: Alfred Trebicka, Ilir Dragovoja, Leonard Daliu, Aurora Qazimi, Paolo Comentale, Kyriakos Argiropulos, Bunyu Lungov, Davor Dragojevic dhe Vladimir Berkun. Në 65 vite, janë 60 aktorë që kanë mbuluar të gjithë repertorin e shfaqjeve duke krijuar personazhe mjaft të dashura për publikun e vogël, i cili e pëlqeu dhe u dashurua menjëherë me teatrin.

Që në fillim letra të shumta u dërgoheshin heronjve të kukullave. Me anën e këtyre letrave fëmijët u dërgonin të fala dhe i pyesnin personazhet për “jetën e tyre” si edhe për “të afërmit e tyre”. Ndër aktoret në vite janë dalluar për krijimtarinë e tyre të mirëfilltë dhe cilësore artistike: Zija Grapshi, Xhavit Xhepa, Pleurat Armiri, Xhavit Sallaku, Mirketa Çobani, Eva Pëllumbi, Lorenc Pepa, Mira Minga, Florinda Mazreku, Bakie Baboçi, Marilda Furxhi, Shegushe Bebeti, Sokol Myzeqari, Leonard Daliu, Silva Mamoli, Alma Pina, Donika Ramallari, Denard Xhillari, Jorida Meta, Alfred Zeneli, Kliti Rroshi, Ermonela Alikaj, etj. Teatri i Kukullave nga shfaqja në shfaqje erdhi duke fituar një pjekuri të madhe artistike. Konkluzionet që nxirreshin nga çdo shfaqje jo vetëm e pasuruan kolektivin me njohuri të sakta, teorike e praktike të këtij lloj arti, por ndihmuan edhe disa aktorë që të fitonin aftësi të tilla sa të ishin në gjendje të vinin në skenë shfaqje të ndryshme.
(m.k/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb