Nuk shënon prej 7 ndeshjesh radhazi me “gjelat” dhe forma e sulmuesit të Barcelonës, që as me katalanasit nuk ka arritur të gjejë impaktin e duhur, po e shqetëson shumë Dëshamp dhe tifozët francezë. Grizman, që me blutë ka 29 gola në total, një më pak sesa Zhan Pjer Papen, është golashënuesi i tetë më i mirë i Francës, ndërsa ka humbur dy penallti të njëpasnjëshme kundër Shqipërisë dhe Andorrës në shtator.

Ky është momenti më i keq i sulmuesit me fanellën blu dhe duhet të kthehemi pas në debutimet e tij me Kombëtaren (2014) për ta parë jo kaq efektiv para porte. Përballë Shqipërisë, Antuan Grizman do luajë ndeshjen e 35-të radhazi me Francën dhe vetëm Patrik Vieira me 44 ndeshje radhazi ka patur një vazhdimësi më të gjatë në fushë. Në grupin e Didie Dëshamp, Grizman është i vetmi që i ka luajtur gjitha ndeshjet që pas finales së Kupës së Botës.

Por pavarësisht kësaj, sulmuesi i Barcelonës është lojtari më produktiv i “gjelave” me 3 gola dhe 7 asiste. Gjatë këtij viti, Grizman vetëm në dy përballe nuk ka lenë shenjë, në Turqi 0-2 dhe ndaj Moldavisë 2-1. Ndaj sot, kundër Shqipërisë, Grizman kërkon ta lërë pas shpine këtë periudhë të gjatë thatësire dhe të rikthehet te goli.

(Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb