KOSOVË- Ministria e Jashtme e Kosovës ka bërë të ditur sot se ka filluar festimet e ditëlindjes së shtatë të Kosovës me garën e fotografive më të mira të Kosovës në rrjete sociale nga vetë qytetarët e saj. Fotot më të mira do të botohen në një libër, ndërsa fituesi i fotos më të mire fiton 500 euro.

“Shumë qytetarë kosovarë mund të botojnë foto të bukura të Kosovës duke përdorur hashtagët #instakosova #instakosovo dhe #mfakosova. Më 2013 MPJ e Kosovës ka organizuar një konkurs me ndihmën e Ambasadës Norvegjeze dhe British Council duke aktivizuar rreth 11,000 postime fotografish në të gjitha rrjetet sociale, duke ofruar kështu material fantastik për librin e parë festiv të Kosovës, të titulluar #instakosova. Edhe sivjet po organizohet një garë kombëtare me hashtagët #Instakosova dhe #InstaKosovo, dhe ftojmë të gjithë të jenë aktivë dhe të postojmë postimet e fotografive që reflektojnë mbi kulturën, arkitekturën, urbanizmin, natyrën, shoqërinë, jetën e natës, rininë dhe të jetuarit në Kosovë”, thuhet në komunikatën e Ministrisë së Jashtme të Kosovës.

Materiali i mbledhur do të vlerësohet nga një juri prej pesë anëtarësh që përbëhet nga: Blerim Racaj, Nita Salihu Blerta Kambo, Arjeta Emra dhe Era Istrefi. MPJ-ja ka paraparë që fituesin e kësaj gare ta shpërblejë me 500 euro, kurse 10 fotot më të mira me nga 100 euro. Gara përfundon më 3 shkurt 2015. Ndërkohë, kjo juri do të përzgjedhë rreth 100 foto të cilat do të publikohen në një libër fotografish, duke shënuar kështu edicionin e dytë të këtij publikimi dhe duke festuar po ashtu pavarësinë e Kosovës.

Ky libër do të ndahet falas në institucione të ndryshme shtetërore nëpër botë dhe hapësira të ndryshme të artit e kulturës. Sivjet, #instakosova do të lançojë edhe webfaqen e vet aktive, me ç’rast rriten mundësitë për të publikuar edhe video, gjithmonë nën #instakosova.
Publikimi i parë instakosova ka nxjerrë si fitues fotografët Arben Llapashtica, Beni Cufi, Besnik Hasanaj, Fisnik Dobreci, Shkëlzen Rexha, dhe është vlerësuar si publikimi më autentik i shtetit të Kosovës për audiencën e vendit dhe atë ndërkombëtare. Ky libër ka fituar edhe çmim për projekti më të mire i diplomacisë digjitale në disa publikime ndërkombëtare.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: