NGA ORNELA MANJANI

TIRANE- Miratohet lista me 70 pr onarët që kanë ndër tuar pa leje në tokën e të tretëve dhe fitojnë të drejtën mbi pronën. Përfituesit kanë gati tapitë për truallin dhe për ndërtesat. Vendimi është botuar në Fletoren Zyrtare dhe përcakton sipërfaqet maksimale, për të cilat miratohet kalimi i së drejtës së pronësisë mbi parcelën e ndërtimit pa leje dhe numrin e parcelave ndërtimore, si dhe sipërfaqja e përgjithshme e truallit për secilin qark.

Vendimi ngarkon Agjencinë e Legalizimit, Urbanizimit dhe Integrimit të Zonave/ Ndërtimeve Informale për kryerjen e procedurave të kalimit të pronësisë së parcelave ndërtimore të objekteve informale nga shteti, tek poseduesit e ndërtimeve pa leje. Ndërsa zyrat vendore të regjistrimit të pasurive të paluajtshme deri në momentin e regjistrimit të ndërtimit të legalizuar, të mos kryejnë ndryshime të gjendjes juridike të pasurive të listuara në këtë vendim.

KALIMI I PRONËSISË
Kalimi i së drejtës së pronësisë mbi parcelën ndërtimore të objektit pa leje bëhet sipas dispozitave të Kodit Civil. Sipërfaqja e parcelës për të cilën miratohet kalimi i së drejtës së pronësisë nuk mund të jetë më e madhe se trefishi i sipërfaqes së bazës së ndërtimit dhe për ndërtimet pa leje me funksion banimi jo më shumë se 500 m². Sipërfaqet mbi masat e përcaktuara në këtë pikë, të cilat për shkak të përmasave ose konfiguracionit nuk mund të shfrytëzohen më vete për ndërtim, i shiten poseduesit të ndërtimit pa leje sipas vlerës së pronës, të miratuar me vendim të Këshillit të Ministrave, vetëm nëse ka shprehur më parë vullnetin, nëpërmjet një kërkese me shkrim.

REGJISTRIMI I PASURISË
Kur ndërtimi pa leje disponohet nga një subjekt, kontrata e kalimit të pronësisë së parcelës ndërtimore dhe objektit që legalizohet regjistrohen në emër të subjektit që disponon objektin. Ndërsa në rastin kur ndërtimi pa leje disponohet nga më shumë se një person fizik ose juridik, regjistrimi i pjesëve takuese mbi pasuritë (parcelë dhe objekt) kryhet: në pjesë të pandara, ideale, sipas numrit të subjekteve; në pjesë takuese të ndara, sipas marrëveshjes së nënshkruar ndërmjet subjekteve lirisht dhe të depozituar brenda afatit të vetëdeklarimit. Subjektet mund të përcaktojnë përveç pjesës takuese, edhe pjesët fizike respektive nëse ndërmjet tyre përputhet vullneti.

(el.sp/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: