Policia e Kosovës ka thënë se gjatë periudhës janar-shtator, nga 70 persona që kanë humbur jetën në aksidente trafiku, 39 prej tyre kanë qenë shoferë e rreth 24 për qind prej tyre kanë qenë aksidente nga humbja e kontrollit te shofereve.
Policia njoftoi të dielën se një person me motoçikletë ka humbur jetën si pasojë e vetaksidentit në autostradën “Ibrahim Rugova”. Autoritetet kërkuan nga drejtuesit e automjeteve që të jenë vigjilentë dhe t’i respektojnë shenjat rrugore “në mënyrë që secili të kontribuojë në zvogëlimin e aksidenteve fatale dhe humbjen e panevojshme të jetëve njerëzore si pasojë e pakujdesisë”.
Në njoftim, Policia tha se njësitet patrulluese po i vazhdojnë aktivitetet e shtuara në teren me qëllim të shtimit të sigurisë në trafik.
“Vendosja dhe mbajtja e një sigurie në trafik, kërkon angazhime të gjithmbarshme, andaj aktivitetet policore në drejtim të respektimit të rregullave, zbatim të ligjit dhe ndërmarrjen e masave ligjore ndaj shkelësve të ligjit në trafikun rrugor, janë të vazhdueshme”, thuhet në njoftim.