Nga XHELAL GJEÇOVI*

70-vjetori i Çlirimit të atdheut u shoqërua me debate të gjëra
në ekranet e televizioneve dhe në artikujt e gazetave të përditshme. Natyrisht, kjo ishte e pritshme dhe e kuptueshme. 70-vjetori ishte një rast i mirë për të bërë dhe një bilanc të kësaj ngjarjeje. Koha është matës i vlerave. Ajo i konfirmon ose dhe i rrëzon vlerat e atribuuara një ngjarjeje apo një figure historike, nëse ato nuk rezistojnë e nuk qëndrojnë për shkak të zbulimit të dokumenteve të reja, të cilat lëkundin analizat dhe vlerësimet e bëra me parë. Në harkun e shtatëdhjetë vjetëve, sidomos në këtë çerekshekull të mendimit të lirë, ka qenë plotësisht e mundur që lufta të shihet e të rishihet në të gjitha pamjet e në të gjitha planet. Po çfarë rezulton nga ky rishikim, nga debatet, nga studimet, apo dhe nga sulmet pambarim ndaj Luftës dhe ndaj figurave që udhëhoqën luftën? Çfarë mbetet, çfarë pranohet sot nga të gjitha palët apo shumica e tyre dhe çfarë vihet në dyshim, apo kontestohet e kundërshtohet nga pala tjetër? Natyrisht, në një shkrim si ky nuk është e mundur t’u jepet përgjigje e plotë pyetjeve të mësipërme, e aq më pak të kënaqë të gjitha palët e interesuara. Megjithatë, në kufijtë e lejuar, dëshiroj të tërheq vëmendjen në disa probleme, që për shkak të rëndësisë që kanë pasur në atë kohë, kanë qenë vazhdimisht objekt debati e diskutimi, por edhe spekulimi. Trajtimi i tyre ndihmon që të kuptohet çfarë ka ndodhur në Shqipëri në vitet e Luftës së Dytë Botërore dhe si duhet vlerësuar Lufta Antifashiste Nacionalçlirimtare e zhvilluar në suazat e saj.
Diskutimi i ngjarjeve të mëdha, që kanë lënë gjurmë në histori, nuk ka ndodhur vetëm te ne. Për Revolucionin Francez të vitit 1789 është diskutuar jo me vite apo dekada, por me shekuj. Megjithatë, sot Franca krenohet me këtë ngjarje, me idetë që u përpunuan e frymëzuan masat, me ndikimin e me ndryshimin që ato sollën në Francë e në mbarë Evropën. Pa dashur të bëj analogji që nuk shkojnë, edhe Lufta Antifashiste Nacionalçlirimtare tek ne nuk mund të mos kishte fatin e ngjarjeve të mëdha, për të cilat interesimi e debatet nuk rreshtin kurrë, për shkak të ndryshimit që sollën e të ndikimit që ende kanë në jetën shoqërore të vendit. Aq më shumë që Lufta Nacionalçlirimtare te ne nuk ishte thjesht dhe vetëm një luftë çlirimtare, por edhe një revolucion popullor, që përmbysi rendin e vjetër dhe marrëdhëniet e vjetra, që synonin të përjetësonin sundimin e një klase të vjetër, e cila e kishte jetuar kohën e vet dhe tani qe bërë pengesë për progresin e shoqërisë Shqiptare. Madje, këtë kishte tentuar ta bënte dhe ish-mbreti Zog, përmes reformave që ndërmori me qëllim që të kufizonte peshën dhe ndikimin e kësaj klase në jetën shoqërore dhe ekonomike të vendit, por u tërhoq për shkak të kundërshtimit dhe kërcënimit të saj. Në këto rrethana i mbeti luftës që ta realizojë këtë detyrë historike. Realizimi i saj ishte padyshim ndër arritjet e mëdha të luftës. Por, në këtë rast, me këtë përmbysje, u prekën e u tronditën interesa të mëdha, interesa thelbësore të klasave dhe forcave që janë edhe sot faktorë në jetën shoqërore të vendit. Natyrisht për ta nuk ka qenë e lehtë pajtimi me humbjen, pranimi dhe integrimi në realitetet e reja. Për rrjedhojë, gjatë gjithë periudhës pas lufte kanë qenë të pranishme rezervat, mospajtimet e reagimet. Ato kanë gjetur shprehjen dhe në qëndrimin ndaj luftës, të cilën e konsideronin fajtore për përmbysjen e madhe që realizoi në jetën shoqërore të vendit. Është për t’u vënë në dukje se në aktivitetet për 70-vjetorin e Çlirimit u dukën disa reflektime në qëndrimin ndaj luftës, çka premton se gradualisht po kapërcehen diferencat e mëdha, e po shkohet drejt pranimit të disa të vërtetave objektive, me të cilat as nuk mund të manipulohet dhe as mund të mohohen. Ato përbëjnë bazën objektive të njohjes së historisë së kësaj periudhe të reflektimit mbi të, por edhe të bashkimit tonë si popull e si komb i qytetëruar që njeh veten, që çmon historinë e vet dhe vlerat e saj. Natyrisht, kjo nuk nënkupton rrafshim e unifikim të mendimeve, injorim të diversitetit në gjykimin kësaj ngjarjeje. Përkundrazi, duke respektuar individualitetet e ndryshme përmes ballafaqimit të ideve dhe argumenteve, duhet arritur në pranimin e disa vlerave të mëdha të luftës, rreth të cilave dhe duhet të bashkohemi. Po cilat janë ato?
Lufta, siç dihet, rivendosi Pavarësinë Kombëtare të shpallur në Vlorë më 1912 dhe të shkelur që më 7 prill 1939 nga fashistët italianë e më pas nga nazistët gjermanë, një aspiratë e përgjithshme e shqiptarëve, e të gjitha klasave, e të gjithë popullit, aq më shumë që ajo nuk ishte një rivendosje e thjeshtë, por një rivendosje mbi baza krejt të reja, me elementë të fuqishëm e të qëndrueshëm, me një mbështetje të plotë në vend e me një njohje të gjerë ndërkombëtare, mbi të gjitha me një sovranitet të plotë, që s’e kishte njohur kurrë më parë vendi, shteti shqiptar; një sovranitet që siguronte paprekshmërinë e kufijve dhe zhvillimin e qëndrueshëm e të pavarur të vendit. Sipas përcaktimit të prof. Aleks Budës, më 29 nëntor 1944 mori fund historia e pushtimeve të Shqipërisë, e pazarllëqeve në kurriz të saj, që kishin çuar në rrudhje të kufijve etnikë, në shkëputje e aneksime të territoreve shqiptare nga shtetet fqinje. Ndoshta këtë kishte parasysh Noli kur shkruante se “Historianët kur të shikojnë historinë e Shqipërisë nën vështrimin e njëqind vjetëve më vonë, nuk do të jetë çudi, që ta nisin jetën indipendente të popullit shqiptar jo më 1912, por që më 1944”. (N.Jorgaqi: “Fan S.Noli”. Antologji. Shtëpia Botuese “Afërdita”, Tiranë 2002). Së dyti, lufta e rreshtoi Shqipërinë me Koalicionin Anglo-Sovjeto-Amerikan. Edhe kjo është padyshim një meritë e luftës dhe e atyre që e udhëhoqën luftën, një arritje që i bën edhe sot ndere vendit. Bota ishte ndarë më dysh. Mund të shkoje nga njeri krah, por dhe nga tjetri. Propaganda, premtimet, joshjet vinin nga të dy blloqet. Ka pasur në atë kohë vende dhe shtete më të fuqishëm e me më përvojë, por nuk arritën të orientohen drejt, të zgjedhin rrugën e duhur dhe kjo do t’u shkaktonte probleme e do t’u sillte pasoja në mbarim të luftës, kur do të bëheshin bilancet e saj. Kurse pozita e Shqipërisë në mbarim të luftës ishte impresionuese. Ajo doli nga lufta e rreshtuar me fitimtarët, me një kapital të konsiderueshëm politik e me një mbështetje të fuqishme ndërkombëtare, të cilat do të shërbenin e do të ndihmonin për të përballuar situatën e vështirë të krijuar menjëherë pas lufte në raportet me fqinjët, për shkak të synimeve e pretendimeve të tyre për të aneksuar territore të tjera shqiptare. Së fundi, Shqipëria u çlirua me forcat e veta nga Ushtria Nacionalçlirimtare Shqiptare. Këtu nuk qe nevoja që të zhvillonin veprime luftarake ushtritë e vendeve aleate, as angleze, as amerikane dhe as ruse, siç ndodhi në vendet e tjera të rajonit, pavarësisht ndihmës së pakursyer që ata i dhanë luftës sonë. Edhe kjo është padyshim një meritë e luftës, që flet për përgjegjësinë e për angazhimin në këtë betejë, nga e cila varej e ardhmja jonë si popull e si komb. Gjatë viteve të saj shqiptarët shfaqën veti e pjekuri morale e politike. Për herë të parë bota i pa shqiptarët ndryshe nga ç’i mendonte; një komb i qytetëruar e i organizuar, një komb që çmonte lirinë e pavarësinë e atdheut, që ishte i gatshëm e i vendosur që me çdo çmim e me çdo sakrificë t’ia kthente ato vendit. Thirrjes së Këshillit të Përgjithshëm Nacionalçlirimtar për t’u ngritur në luftë iu përgjigjen masivisht si asnjëherë patriotë nga i gjithë vendi, pa dallim bindjeje politike apo përkatësie partiake, qytetarë e katundarë, nga fshati e nga qyteti, nga jugu e nga veriu, të varfër e të pasur, të shkolluar e pa shkollë, të rinj e të reja, burra e gra, duke thyer kështu të gjithë kufijtë tradicionalë, krahinorë, fetarë, gjinorë shoqërorë, etj. Pjesëmarrja e mbi 6.000 grave dhe vajzave në rreshtat partizane ishte një revolucion i vërtetë në psikologjinë e në mentalitetin e shqiptarëve, një revolucion në fushën e emancipimit të gruas shqiptare, që përbënte gjysmën e popullsisë së vendit. Dhe merita për ndryshimin që solli lufta në rrafsh kombëtar, por edhe në planin shoqëror e ideologjik, u takon të gjithë pjesëmarrësve, të gjitha forcave patriotike pa dallim, komunistë, antifashistë e nacionalistë, që u bashkuan e u organizuan në luftë, që dhanë gjithçka patën e gjithçka mundën për çuarjen e saj në fitore. Në këtë kuadër duhen parë e vlerësuar dhe roli e meritat e PKSH e të Frontit Antifashist Nacionalçlirimtar, e sigurisht edhe Enver Hoxhës e bashkëpunëtorëve të tij nga radhët e komunisteve e nacionalistëve patriotë, që e organizuan dhe e udhëhoqën luftën. Historia ka provuar se asnjë popull nuk ka mundur të realizojë aspiratat e tij liridashëse pa pasur në krye një udhëheqje të aftë, besnike e të përkushtuar ndaj vendit. Një forcë e tillë u bë në vitet e luftës, Fronti Antifashist Nacionalçlirimtar, i krijuar në Pezë, më 16 shtator 1942. Fronti i dha luftës gjithçka duhej për ta çuar atë në fitore; i dha një platformë të qartë politike dhe organizative, e cila kërkonte që Shqiptarët të linin mënjanë paragjykimet e mosmarrëveshjet e vjetra, ndarjet e përçarjet e ngritura mbi bazën e tyre, të bashkoheshin me devizën e rilindësve: “Feja e shqiptarit është shqiptaria” dhe të mobilizoheshin në luftë për të dëbuar okupatorin, për të çliruar e shpëtuar atdheun. Por, duke vlerësuar siç e meritojnë ata që bënë dhe udhëhoqën Luftën Nacionalçlirimtare, nuk do të thotë se në këtë betejë me të keqen nuk ka pasur të angazhuar dhe të tjerë, nga forcat e tjera, që gjithashtu duhen parë e trajtuar në kujdes. Historia është një fushë e gjerë; në të ka vend dhe për ata, që për një arsye apo një tjetër, nuk arritën të bëjnë atë që dëshirohej, por që gjithsesi diçka bënë qoftë dhe në momente apo ngjarje të caktuara, duke mbajtur qëndrimet e duhura në dobi të luftës, disa herë duke rrezikuar dhe të ardhmen e tyre politike, në kuadër apo brenda forcës politike ku bënin pjesë. E kam theksuar edhe herë të tjera se edhe në gjirin e Ballit Kombëtar e të Lëvizjes së Legalitetit, organizata që bashkëpunuan me okupatorët, ka pasur figura dhe forca që të preokupuar për gjendjen e vendit nën pushtim, të paktën në fazën fillestare, u përpoqën që edhe në ato kushte jo të lehta të gjejnë veten dhe në momente apo ngjarje të caktuara, të bëjnë më të mirën e mundshme, për t’i kontribuar organizimit të luftës kundër okupatorit. Në këtë rast vijnë në konsideratë qëndrimi i Abaz Kupit më 7 prill 1939, pjesëmarrja në Konferencën e Pezës e në disa veprimtari të rëndësishme, që i kontribuuan forcimit e afirmimit Frontit Nacionalçlirimtar, si organizatorë dhe udhëheqëse e luftës, etj. Apo qëndrimi i një krahu progresist në gjirin e BK, të përfaqësuar nga katërshja e njohur: Butka, Lepenica, Muço, Ermenji, që krijuan çetat e para balliste për t’ju kundërvënë okupatorit etj. Edhe këta duhen njohur e duhen çmuar për atë që dhanë, për aq sa dhanë. Në këtë vështrim, reagimi ndaj dekorimit të ndonjërit prej tyre nga Presidenti i Republikës është i pavend, i padrejtë. Që janë bërë dhe dekorime të njerëzve me mëkate, me probleme, biles dhe kolaboracionistë të njohur, si në asnjë vend tjetër, edhe kjo dihet, por kjo s’të jep të drejtën të reagosh gjithnjë ndaj kujtdo që dekorohet, pa njohur veprimtarinë e tij. Është e kuptueshme që në kushtet e një emancipimi minimal të politikës, do të ndeshemi dhe me qëndrime të tilla të kreut të shtetit, ashtu sikurse dhe me reagime po të tilla nga njerëzit që nxitojnë të kundërshtojnë çdo gjë, me vend e pa vend. Në fund të fundit, dekorimi është një akt politik, por edhe moral. Dhe kur bëhet në respekt të meritave, të vlerave, duke respektuar kriteret, ai sjell dhe efektet e dëshiruara, shërben për të njohur e afirmuar vlerat e vërteta, në të kundërt ato nuk kanë asnjë vlerë dhe nuk ndryshojnë asgjë në vlerësimin e personave që duket se po nderohen. Opinioni i shëndoshë e kupton kur është prezente njëra apo tjetra. Të mos harrojmë, kanë kaluar shtatëdhjetë vjet nga mbarimi i luftës dhe plot vite të tjera nga e ashtuquajtura luftë e ftohtë. Për rrjedhojë, sot kërkohet një qëndrim i matur, objektiv e konstruktiv e jo pasionant e militant në gjykimin e luftës dhe të figurave të saj, pavarësisht krahut në të cilin bënin pjesë.
(os.de/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: