NGA: IV KALOÇI* Në vitin 1973, Burgu i Spaçit u përfshi nga re volta masive e të burgosurve, e cila zgjati nga 21 deri në 23 maj. Dëshmia rrëqethëse e 73- vjeçarit Agim Bejko, me origjinë nga Starova e Pogradecit dhe banim në Paris, i cili rrëfen për herë të parë për “GAZETA SHQIPTARE”, do të sjellë detajet e revoltës, në thelb kundër regjimit, detajet se si u ekzekutua vëllai i tij, 27-vjeçari Dervish Bejko, së bashku me tre shokët, Hajri Pashaj, Pal Zefi e Skënder Daja, si dhe kalvarin e gjatë 25-vjeçar nëpër kodra, male, përrenj e kadavra, për gjetjen e eshtrave të tyre.

PUSHKATIMI
“Në krye të revoltës ishin këta të katërt; Dervish Bejko, Hajri Pashai, Pal Zefi dhe Skënder Daja. Këta ishin iniciatorët kryesorë që shpërtheu ajo revoltë, por ishin dhe të tjerë emra të njohur që më pas u bënë legjenda të burgjeve politike të regjimit komunist, si; Demir Pojani, Dashnor Kazazi, Syrja Lamçe, Paulin Vata, Jorgo Papa, Luan Koka, Sami Dangëllia, Luan Burimi dhe Hodo Sokoli. Kanë qenë dhe shumë të tjerë, se nuk i mbaj mend tani dhe nuk dua të bëj klasifikim, pasi ajo gjë tashmë njihet mjaft mirë. Kështu, në momentet e para të revoltës, vëllai im, Dervishi grisi copën e kuqe të krevatit dhe mori Mersin Vlashin për t’i pikturuar shqiponjën, pasi donte të bënte flamurin kombëtar, por pa yllin komunist. Pasi Mersini pikturoi shqiponjën pa yll, Dervishi e mori flamurin e shkon në kat të tretë të burgut. Ky flamur pati jetë tri ditë e tre net, pra nga 21 maji deri në 23”.

Kështu shprehet ndërmjet të tjerash për “Gazeta Shqiptare”, 73- vjeçari Agim Bejko, me origjinë nga Starova e Pogradecit dhe me banim prej vitesh në Paris, i cili dëshmon një nga historitë më të veçanta të kampeve dhe burgjeve të regjimit komunist të Enver Hoxhës, atë të Revoltës së Spaçit të vitit 1973, ku një nga katër të ekzekutuarit ishte vëllai i tij, Dervish Bejko, në atë kohë vetëm 27 vjeç. Në këtë kontekst, në shkrimin e mëposhtëm po ju njohim me atë ngjarje, që siç thamë pak më lart, pa dyshim që është një nga më të veçantat e periudhës së diktaturës komuniste të regjimit të Enver Hoxhës. E njohur ndryshe si Revolta e Spaçit, e cila ka ndodhur plot 42 vjet më parë, në majin e 1973-it apo më saktë nga data 21 deri më 23 maj. Për shumë arsye të cilat do t’i rendisim dhe do t’i zbardhim më poshtë në këtë intervistë me z. Agim Bejko, ashtu dhe me publikimin e dokumenteve arkivore, themi se ajo ishte një nga ngjarjet më kulmore të rezistencës antikomuniste, pasi të burgosurit politikë që vuanin dënimet në atë kamp hodhën parulla të ndryshme me karakter politik, gjë të cilat shqiptarët i dëgjuan hapur vetëm në agoninë e atij regjimi famëkeq, në dhjetorin e vitit 1990, kur nisën protestat e para antiregjim dhe antikomuniste. Dhe për këto shkaqe e të tjera që do i shohim më poshtë në këtë shkrim, si nga intervista me z. Agim Bejko, ashtu dhe nga dokumentet arkivore, ajo ishte një revoltë për të cilën diktatura komuniste bëri katër kurbanë, të cilët konsideroheshin si kryesorët e kësaj revolte; Dervish Bejko, Hajri Pashai, Pal Zefi e Skënder Daja.

Zoti Agim, para se të dalim te ngjarja e revoltës së Spaçit, a mund të na thuash shkurtimisht cila është e kaluara e familjes suaj?
Ne jemi me origjinë nga Starova e Pogradecit dhe kemi qenë një familje e madhe dhe relativisht e pasur për atë kohe. Nisur nga ky fakt, gjyshi im mbaroi studimet në Vjenë të Austrisë për ciklin e rrymave të ulëta dhe kishte shok kursi në universitet inxhinierin e famshëm Ndoc Naraci nga Shkodra, i cili më pas u bë dhe ministër në periudhën e Monarkisë së Zogut. Pasi u kthye në Shqipëri dhe filloi punë si inxhinier, ai zbatoi një projekt që kishte të bënte me vendosjen e linjës së parë telefonike në Shqipëri, nga veriu deri në Mallakastër. Në atë kohë në Mallakastër plasi lufta dhe ai projekt u ndërpre. Reforma famëkeqe e 1946-ës na preku si gjithë të tjerët edhe ne. Të kthehemi tani te viti 1947, kur regjimi komunist i sapoardhur në fuqi na sekuestroi të gjitha çfarë kishim. Na i morën të gjitha dhe na lanë vetëm me 3 dynymë tokë. Shtëpinë që e kishim 2-katëshe e bënë shkollë. Gjyshi vdiq dhe la dy djem; babain tim Enverin dhe xhaxhain tim. Në korrik të vitit 1945 u arrestua babai, Enveri dhe si rrjedhojë u dënua 12 vjet burg për agjitacion e propagandë. Më pas, siç ishte zakoni i komunistëve, mbi ne ra persekutimi. Nuk mjaftoi kjo gjë, por dhe na internuan, na hoqën nga shtëpia e nuk kishim të drejtë të ktheheshim më atje. Me urdhër të Sigurimit të Shtetit na çuan në një kuzhinë, të them më mirë të një kushëririt tonë. Ne ishim 8 fëmijë, gjyshja nëntë e mamaja dhjetë. Jetonim në një ambient shumë të vogël në të cilin nuk mund të jetoje, ishte krejt i pabanueshëm.

E mbani mend atë kohë sa vjeç keni qenë?
Po, e mbaj mend shumë mirë, pasi në atë kohë isha 13 vjeç dhe djali i madh i familjes, pasi unë kam lindur në vitin 1942. Kur babai ndodhej në burg, unë shkova ta takoja atë në burgun e Korçës dhe duke qenë se isha fëmijë, babai më tha: “Unë kam lënë një burrë në shtëpi”. Mendoni, një 13-vjeçar ishte burrë shtëpie. Nga kushtet e vështira ku jetoi familja jonë aty ku na çuan pasi na hoqën nga shtëpia jonë, mua më kanë vdekur dhe dy vëllezër, në atë të ashtuquajtur kuzhinë, se nuk ishte as kuzhinë.

Dy vëllezërit që vdiqën, në çfarë moshe ishin?
“Një ishte 3 vjeç, Esati, ndërsa Shpëtimi ishte 5 vjeç. Nuk më del nga mendja, sepse në atë kohë kur vdiq Esati 3 vjeç, erdhi hoxha për ta larë vëllain dhe unë me një ibrik të verdhë i hidhja ujë hoxhës. I hidhja ujë hoxhës për të larë kufomën dhe më shumë binin pika loti mbi trupin e vëllait sesa ujë. Ne si familje ishim në një izolim total dhe nuk na hynte njeri në shtëpi, sikur të kishim lebrozën! Nuk futej absolutisht asnjë njeri te ne. Mendoni se çfarë gjendjeje e tmerrshme ka qenë për familjen tonë. Mbas kësaj vdiq dhe vëllai tjetër, pasi ne ishim në gjendje mizerabël. Kemi jetuar në gjendje shumë të keqe, pasi për të mbajtur frymën gjallë, merrnim vetëm 7 kg misër nga këshilli i fshatit, të cilin e merrnim në Grumbullim në Pogradec. Dhe vetëm me këto 7 kg misër, jetonim për një muaj e gjithë familja.

Po me vëllanë tjetër, Dervishin, sa diferencë moshe kishit?
Dervishi ka një diferencë nga unë prej 4 vjetësh. Ai është i datëlindjes 1946, ndërsa unë i 1942-shit. Dervishi në këtë kohë ishte i vogël, i mitur. Babai, mbasi u dënua me 12 vjet burg, me punën që bëri në burg, e kapën 3 amnisti dhe fitoi 4 vjet, e doli mbas 8 vjetësh nga burgu. Edhe njerëzit e afërt tonët u larguan të gjithë, me përjashtim të dhëndurëve që i kishim shumë të afërt. Kishim një izolim total nga fshati. Gjatë periudhës që erdhi babai nga burgu, ne menduam se mbaroi kalvari i vuajtjeve tona. Por ishim gabuar, madje rëndë! Nuk kishte të mbaruar kalvari, për arsye se do të vinte viti 1971. Në këtë kohë unë u rrita, punoja në fermë (Ndërmarrje Bujqësore), sepse dy rrugë kisha: o në fermë, o në miniere. Në kohën kur u lirua babai, me shumë mundime, ne mundëm të bënim në truallin tonë një ndërtesë ku mundëm të fusnim kokën brenda. Por në vitin 1971 arrestuan vëllain, Dervishin dhe e dënuan me 12 vjet burg, me akuzat “agjitacion e propagandë” dhe “tentativë arratisjeje”.

Ku ndodhej Dervishi kur u arrestua?
“Vëllai, Dervishi në atë kohë ishte me punë në Elbasan, në Metalurgjik. Ai mbasi u martua, u shkëput nga familja në një farë mënyre për të humbur gjurmët, sepse hija e persekutimit, apo siç thuhej në atë kohë “të deklasuar”, na ndiqte kudo. Por familja e vajzës që kishte marrë Dervishi për grua ishte me biografi më të mirë sesa ne dhe për ta ruajtur atë, ai u nda nga ne dhe iku në Elbasan. Në atë kohë që u arrestua, Dervishi kishte dhe një fëmijë, djalin Leonard Bejko. E kishte djalë të vetëm që e la motak. Pra, në 1971-in u arrestua në Elbasan, bëri dhe bëri 6 muaj hetuesi. Unë shkova një herë me babain për ta takuar, mbasi kishte mbaruar hetuesia, por ende nuk kishte dalë në gjyq. Kishim pak ushqim për t’ia çuar. Nuk e harroj kurrë atë ditë, pasi aty në burgun e Elbasanit, në oborrin e Degës së Brendshme rastisëm, apo na doli me qëllim, ballë për ballë xhelatin e kuq, kryetarin e Degës, Nevzat Haznedari, i cili kishte një trup të gjatë. Ai e njohu babain dhe i thotë: “nuk vure mend ti, po solle dhe djemtë këtu? Këtu do të vdisni të gjithë”.

Nuk na lanë të takoheshim me vëllanë dhe nuk na i mbajtën as ushqimet. Kështu u kthyem përsëri në shtëpi, sepse duhej të dilte në gjyq, të merrte dënimin, e më pas mund ta takoje. Mbas tri javësh Dervishi doli në gjyq, e siç i bënin gjyqet në atë kohë, u dënua me tre dëshmitarë okularë, që vëllai nuk i kishte pranuar në hetuesi. Edhe sot është dokumenti në dosjen e tij pa e firmosur, se këta ishin njerëz që i kishte futur Sigurimi aty, pra dëshmitarë të rremë dhe ai nuk i njihte fare. Megjithatë ai u dënua 12 vjet, njësoj si babai. Dy nene e kapën: “agjitacion e propagandë” dhe “tentativë për arratisje”. Por asnjëra prej tyre nuk qëndronte dhe ato akuza nuk ishin aspak të vërteta, se po të ishte e vërtetë, ai do arratisej kur ne ishim në Pogradec, se e kishim afër kufirin, e jo nga Elbasani. Problemi ishte se spiunët e Sigurimit të asaj kohe, lakenjtë, njerëzit që e kishin shitur shpirtin te shejtani si të themi, e kishin bërë detyrën që u ishte ngarkuar.

Më konkretisht, si ndodhi?
Një punëtor operativ i Sigurimit nga Pogradeci dhe që ishte me detyrë në Elbasan, e njihte shumë mirë jo vetëm Dervishin por dhe prejardhjen e familjen tonë, si dhe faktin që i kishim pasur babain dhe gjyshin në burg; ai bëri sugjerimin për ta arrestuar vëllanë tim. Dhe pas dënimit ai përfundoi në burgun e Spaçit, ku dhe ndodhi ajo që ndodhi me Revoltën e Spaçit. Sipas atyre që keni mësuar ju, çfarë ishte ajo revoltë dhe si u përfshi Dervishi në të? Si fillim desha të them se, në kohën që plasi revolta, Dervishi kishte bërë gati dy vjet burg dhe, si të thuash, ai njihte me imtësi çdo gjë që ndodhte atje. Pra me një fjalë, ai ishte ambientuar dhe ishte koshient për gjithçka, apo më saktë, për çdo veprim që mund të ndërmerrte.

Tani të dal te pyetja juaj se çfarë ishte Revolta e Spaçit. Sipas meje, Revolta e Spaçit ka qenë akumulimi i vuajtjeve, torturave dhe punës së detyruar të të burgosurve politikë. Nga puna skllavëruese u bë Revolta e Spaçit, se në të vërtetë, me rregull për të burgosurit ishte se duhej të punohej 8 orë, por atje punohej shumë më tepër. Dy orë i mbanin para se të futeshin në galeri dhe dy orë të tjera i mbanin duke u bërë apelin, e kështu, nga 12 shkonte në 14 orë. Ky akumulim i vuajtjeve dhe viteve shpërtheu në ato momente. Kështu, një ditë prej ditësh, në datën 21 maj 1973, në orën 6:20, në tarracën e godinave të kampit u trefishuan rojet e brendshme. Të gjithë të burgosurit tmerrohen e fillojnë të nervozohen. Në këtë kohë, rojet, policët dhe ushtarët e rrethimit të brendshëm e të jashtëm filluan të shajnë e provokojnë të burgosurit, sepse këta kishin dalë në mbrojtje të katër shokëve të tyre të burgosur, që me të padrejtë komandai kishte futur në izolim në biruca. Një i burgosur aty mori levën dhe i shpërtheu birucat dhe kështu katër të burgosurit u bashkuan me shokët e tjerë, ku ishin gati 1000 vetë.

Ç’ndodhi pas kësaj?
Menjëherë shpërtheu revolta si një vullkan, dhe gjithçka ishte për kushtet e këqija ekonomike, punët e rënda, torturat e fjalët ofenduese. Duhet të keni parasysh, se po mos të bënte normën një i burgosur, atë e lidhnin me tel me gjemba e me pranga, e rrihnin dhe ai ishte i detyruar të kthehej prapë në punë për ta mbaruar normën. Të burgosurit nxirrnin pirit, bakër dhe krom nëpër miniera. Ndërsa filloi të zinte revolta, rojet që ishin brenda lanë kapelet dhe u ndeshën me të burgosurit si gladiatorët, por jo tamam ashtu, se gladiatorët janë në kushte të barabarta, ndërsa këta nuk ishin ashtu. Kini parasysh se të burgosurit nuk kishin as armë dhe asgjë tjetër, por vetëm një revoltë të brendshme që ua forconte edhe më shumë idealet që kishte gjithsecili në kokë. Ndërsa oficerët dhe ushtarët efektivë të atij kampi ishin të armatosur me armë, shkopinj gome dhe me bishta lopate.

A kishte organizatorë ajo revoltë, pra emra të veçantë që dolën në krye të saj?
Patjetër! Në krye të revoltës ishin këta të katërt; Dervish Bejko, Hajri Pashai, Pal Zefi dhe Skënder Daja. Këta ishin iniciatorët kryesorë që shpërtheu ajo revoltë, por ishin dhe të tjerë, emra të njohur që më pas u bënë legjenda të burgjeve politike të regjimit komunist, si Demir Pojani, Dashnor Kazazi, Syrja Lamçe, Paulin Vata, Jorgo Papa, Luan Koka, Sami Dangëllia, Luan Burimi dhe Hodo Sokoli. Kanë qenë dhe shumë të tjerë, se nuk i mbaj mend tani dhe nuk dua të bëj klasifikim, pasi ajo gjë tashmë njihet mjaft mirë. Kështu, në momentet e para të revoltës, vëllai im, Dervishi grisi copën e kuqe të krevatit dhe mori Mersin Vlashin për t’i pikturuar shqiponjën, pasi donte të bënte flamurin kombëtar, por pa yllin komunist. Pasi Mersini pikturoi shqiponjën pa yll, Dervishi e mori flamurin e shkon në kat të tretë të burgut. Ky flamur pati jetë tri ditë e tre net, pra nga 21 maji deri në 23 Maj.

Plot tri ditë u valëvit ai flamur në godinën e kampit të Spaçit. Pasi ndodhën këto gjëra, rrethohet kampi me tela me gjemba, me tri rrathë, me autoblinda, me sampistë, e madje edhe me helikopterë që bënin fluturime mbi kokat e të burgosurve. Ndërsa revolta ziente, nga rojet dhe ushtarët e armatosur deri në dhëmbë kishte të shtëna në ajër, dhe këto shpeshtoheshin sidomos kur të burgosurit thërrisnin dhe hidhnin parulla, si p.sh: ‘Ja vdekje ja liri’ apo ‘Poshtë komunizmi’. Ajo që po ndodhte aty ishte një gjë krejt e pazakontë për regjimin e asaj kohe, pasi nuk kishte ndodhur kurrë më parë që nga viti 1944 që ai regjim kishte ardhur në pushtet. Dhe në këto kontekst, ishte një tronditje që nga themelet të diktaturës së kuqe komuniste. Kjo është mjaft e vërtetë, pasi vite më vonë kemi mësuar se për atë ngjarje u fol dhe u shkrua edhe në mediat e huaja.
(ed.me/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: