Nga: Ermelinda Hoxhaj*

Rreth 200 familje janë në pritje të mbledhjes së Këshillit Bashkiak për të përfituar banesën sociale me qira në zonën e Shkozës. Mes tyre është edhe 73-vjeçari Mazllëm Bajraktari, emri i të cilit është në projektvendimin që është dërguar për miratim në këshill për mbledhjen e muajit mars. Por ky projektvendim, ku ishin emrat e 177 përfituesve të parë të 385 banesave sociale me kosto të ulët në Shkozë, nuk kaloi, pasi këshilltarët e ma-zhorancës vendosën që ky vendim të shtyhet dhe të miratohet në një mbledhje tjetër, pasi këshilltarët të njiheshin më mirë me listën e familjeve që përfitonin si dhe ata që ishin skualifikuar për mungesë dokumentacioni. Në një rrëfim për “GSH”, 73-vjeçari tregon kalvarin e vuajtjeve se si përfunduan të pastrehë, por edhe vitet e gjata të pritjes për të përfituar nga këto banesa, të cilën e cilëson si ‘shpëtim’ për atë dhe për shumë familje të tjera në nevojë. Aplikimin, 73-vjeçari e ka bërë rreth 6 vite më parë, kur familja e tij përbëhej nga dy anëtarë, por fatkeqësisht, para 4 vitesh e shoqja u nda nga jeta dhe i është dashur që t’i rinovojë disa herë dokumentet.
Historia
“E kam harruar se para sa vitesh kam aplikuar për banesë me kosto të ulët, por u bënë shumë vite, më shumë se 5, pasi aso kohe jetonte dhe e ndjera ime shoqe”, – tregon i moshuari, sytë e të cilit nuk e fshehin dot trishtimin. Lajmi i mirë se emri i tij ishte mes familjeve të përzgjedhura filloi të ‘zbehet’, pasi kanë kaluar tre muaj që nga miratimi i tyre nga Komisioni i Strehimit, ndërkohë që Këshilli Bashkiak ende nuk i ka miratuar. “Vij shumë shpesh dhe pyes në bashki, por ngrenë supet këto punonjëset te zyrat e pritjes së popullit, dhe më përcjellin duke thënë ‘nuk e dimë kur do mblidhet Këshilli Bashkiak'”, – tregon Mazllëm Bajrakatari, 73-vjeçari i cili prej shumë vitesh jeton në shtëpi me qira, në pritje që të përfitojë nga 385 apartamentet që janë ndërtuar në Shkozë, të cilat do t’u jepen familjeve të pastreha me një qira më të ulët. “Në këtë moshë që jam unë, 1 muaj pritje është shumë, sepse sot jemi, nesër nuk jemi, dhe jo më 3 apo 6 muaj. Ne fatkeqët po presim të mblidhet Këshilli, por mes a duket këta po e përfshijnë edhe këtë çështje në konfliktin politik bashki-qeveri. Duan ta shtynë miratimin e tyre deri në zgjedhjet vendore, ose më keq akoma pas tyre”, – tregon Mazllëm Bajraktari. Prej shumë vitesh, 73-vjeçari jeton me qira në zonën e “Ali Demit”, te ish-Poligrafiku, dhe çdo muaj paguan 12 mijë lekë (të reja), ndërkohë që të ardhura ka vetëm pensionin e tij minimal prej 14 mijë lekësh. “Të ardhura kam pensionin, i cili është minimal, prej 140 mijë lekësh të vjetra, ndërkohë 120 mijë i kam qira mujore. Po të mos kisha vajzën që më ndihmon të mbuloj një pjesë të shpenzimeve, nuk do ia kisha dalë kurrë, pasi jam dhe me ilaçe, pa llogaritur drita e ujë, që nuk arrij dot t’i paguaj. Por asnjë prind nuk do t’i bëhet barrë fëmijës, ndaj dua të marr këtë banesën me kosto të ulët, pasi qiraja që më ishte caktuar është 43 mijë lekë të vjetra, pjesën tjetër rreth 35 mijë lekë e subvencionon Bashkia e Tiranës. Me një qira të tillë, edhe vajzën nuk do ta rëndoja shumë”, – tha 73 vjeçari. Fatkeqësia e familjes Bajraktari, duke u bërë pjesë e ‘armatës’ së 12 mijë të pastrehëve në Tiranë, ka nisur shumë vite më parë, kur blenë një shtëpi, e cila u rezultoi se ishte me dokumente të falsifikuara. “Kursimet e një jete ikën duke blerë një shtëpi me dokumente të rreme. Person që na e shiti kishte falsifikuar dokumentacionin dhe ne mbetëm në rrugë të madhe, pa shtëpi e pa para. Ndërsa drejtësia në këtë vend është padrejtësi, sepse asnjëherë nuk ka funksionuar si duhet”, – rrëfen i moshuari për “GSH”, i cili bënë apel që këshilli të mblidhet dhe t’ua miratojë këtyre 200 familjeve apartamentet, se shumë prej tyre kanë të njëjtin hall. “Si unë, janë shumë familje të tjera fukarenjsh që janë të mbytur nga hallet, dhe këto banesa janë shpëtimi ynë. Ndaj u bëj apel këshilltarëve që të hedhin sytë nga populli i shkretë dhe t’i miratojnë sa më parë”, – bëri apel i pastrehu, Mazllëm Bajraktari.

(ma.ar/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb