Është përkujtuar sot 75-vjetori i çlirimit të qytetit të Elbasanit, ku veteranë të Luftës Nacional Çlirimtare, të afërm të familjeve të dëshmorëve, qytetarë e drejtues vendorë kanë marrë pjesë në ceremoninë përkujtimore kushtuar 23 partizanëve të Brigadës së XV Sulmuese të cilët dhanë jetën për çlirimin e qytetit.


Pasi kanë vendosur kurora me lule në lapidarin e ngritur për nder të tyre, kryebashkiaku Gledian Llatja shprehu mirënjohje për të rënët, ndërsa shtoi se ata që dhanë jetën për liri besonin në madhështinë e saj.


“Dita e çlirimit të Elbasanit është një nga ngjarjet më të shënuara të këtij qyteti dhe kjo duhet të na inkurajojë së tepërmi për të punuar pareshtur për integrimin e Shqipërisë  dhe për begatimin e Elbasanit” tha Llatja.


Të pranishëm në ceremoni ishin edhe deputetet Evis Kushi, Arben Kamami,Florenc Spaho, kryebashkiaku Gledian Llatja, kryetari i Qarkut Bukurosh Stafa ,kryetari i këshillit bashkiak Hektor Çiftja etj. Ndërkaq zv.kryeministri Erion Braçe nga ana e tij vlerësoi LANÇ dhe shprehu mirënjohjen e pakufishme për të gjithë ata që luftuan për çlirimin e vendit dhe për veteranët.

Numri dy i qeverisë shqiptare, Erion Braçe e cilësoi Elbasanin si gur themeli për pavarësi e liri. Elbasani ishte një pikë kyçe në Luftën Antifashiste ku u hodhën themelet e organizimit të strukturave drejtuese të LANÇ.

“Shprehim respektin dhe nderimin e thellë për të gjithë ata që ju bashkuan antifashizmit që është aktual gjithë kohës. Antifashizmi është një vlerë e patjetërsueshme edhe sot në Europën e qytetëruar .Sot a e keni parë urrejtjen që po manifestohet ndaj heronjve të luftës ?Ata burra që kemi vendosur në Bulevardin “Dëshmorëve të Kombit ” janë Nderi i Kombit. U bëj thirrje ta ndalim Luftën ndaj Heronjve të Luftës Antifashiste. Pse nuk janë këtu. Apo nuk janë antifashistë.Çfarë i pengon të nderojnë heronjtë! Për pak pushtet atëherë u bashkuan me armiqtë e Shqipërisë , edhe sot vazhdojnë te njëjtin avaz. Turp për jetë atyre që nuk nderojnë luftën”-tha ai.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: