Kryeministri Edi Rama mblodhi të dielën e 1 shtatorit në Dajt kabinetin qeveritar, mbledhje e cila zgjati 8 orë. Të pranishëm ishin edhe drejtuesit e institucioneve në varësi, kryetarët e komisioneve parlamentare, kryetarja e Kuvendit, përfaqësuesit politikë të mazhorancës në Parlament, ndërsa munguan kryebashkiakët. Takimi i parapriu nisjes së sezonit të ri politik. Pas pushimeve të gushtit, sot mblidhet për herë të parë edhe Kuvendi.

Një nga çështjet kryesore të diskutuar në 8 orë mbledhje, ishte strategjia e komunikimit që mazhoranca socialiste do të ndjekë në vazhdimësi deri në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, komunikimi me publikun dhe institucionet.

Analizë qeverisë dhe PS-së
Në këtë takim mësohet se u bë një analizë e hollësishme e qeverisë dhe partisë dhe më e rëndësishmja, cilat janë sfidat që socialistët duhet të përballin për të arritur drejt objektivit të shpallur, marrja e mandatit të 4 qeverisës. Mësohet se mbledhja ishte e ndarë në tri pjesë. Deri në orën 13:30 të gjithë njerëzit e Edi Ramës, të angazhuar më komunikimin, si drejtorët e institucioneve të varësisë, të ndarë sipas sektorëve që mbulojnë diskutuan për angazhimet që do të kenë gjatë zgjatë fushatës zgjedhore.

Pas një pushimi prej 60 minutash, radha ishte për raportimin e ministrave. Të ndarë në tri shtylla, tre ministret Balluku, Dhuka e Manastirliu folën për investimet, integrimin dhe çështjet sociale. Në fund fjala ishte për kryeministrin, që mësohet se dha konkluzionet e tij, por duke zgjedhur që mos të bëjë asnjë postim mbi ecurinë e këtij takimi.

Në 8 shtator mblidhet Asambleja e PS
Ajo që pritet me interes është mbledhja e Asamblesë Kombëtare që do të zhvillohet të dielën e ardhshme në Durrës, e nevojshme mesa duket, pasi vendimmarrjet e këtij takimi janë vërtetë “të nxehta”.

Veç miratimit të përbërjes së Kryesisë së re, të gjithë presin që në këtë forum, Rama të bëjë të ditur dhe lëvizjes e drejtueseve politikë, por me shumë gjasë të ndryshojë dhe të gjithë sekretariatin e partisë. Pas mbledhjes, Kryeministri Edi Rama u largua nga rezidenca qeveritare së bashku me ministrat dhe pjesëmarrës të tjerë të këtij takimi. Në takim mësohet se janë folur disa çështje kryesore, të tilla si rëndësia e komunikimit në rrjetet sociale, çështjet sociale, siguria dhe integrimi. Kujtojmë se pas këtij takimi, më 8 shtator, do të zhvillohet Asambleja e Partisë Socialiste, ku pritet të bëhet një riparim i thellë i strukturave të partisë, duke përfshirë konfigurimin e Kryesisë së PS, sekretariateve dhe drejtuesve politikë socialistë të qarqeve.

Ky proces do të përcaktojë planin e aksionit të partisë për vitet në vazhdim dhe do të japë një pamje më të qartë për strategjitë zgjedhore dhe organizimin e brendshëm të PS-së. Asambleja ka detyrën të zgjedhë kryesinë e re të PS, anëtarët e të cilës pritet të jenë edhe të dërguarit politik në 12 qarqe. Përveç zgjedhjes së Kryesisë, Kryeministri Rama pritet të konfigurojë edhe skuadrën në terren për zgjedhjet e 2025, pra drejtuesit politikë në qarqe. Ashtu si në zgjedhje të kaluara që ka pasur lëvizje të drejtuesve politikë të PS në qarqe të vendit, edhe kësaj here gjatë punimeve të Asamblesë pritet që Rama të bëjë publike lëvizjet e reja.

Deri më tani ka pasur disa spekulime lidhur me ndryshimet e reja, por 8 shtatori do të jetë ajo që do zbulojë drejtuesit e rinj në qarqe të ndryshme të vendit. Me ndryshimet partiake, PS do të nisë punën për zgjedhjet e ardhshme parlamentare, ndaj përzgjedhja e njerëzve që do të marrin përsipër drejtimin e fushatave në terren, bashkë me përpilimin e ekipeve dhe kandidatëve, merr më shumë rëndësi në kontekstin e përballjes me kundërshtarin politik.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb