80 vjet çlirim – ta gëzojmë!
Por pikëpyetjet vazhdojnë:
– Kush e dëmtoi popullin shqiptar më shumë: pushtuesit e huaj apo ushtria partizane? Sipas shifrave që ka botuar ISKK, janë plot 2554 shqiptarë të vrarë nga partizanët gjatë luftës. Po familjet e tyre kush i ngushëllon çdo 29 nëntor?
– Eshtë e vërtetë se ushtria gjermane vrau 1500 persona? Kurse italianët 207? Kështu u shpreh një studiues mbrëmë në emisionin e Eni Vasilit. Po Balli Kombëtar vërtet ka vrarë 1400 partizanë? Opinioni publik nuk ka informacione për këtë. Akademia e Shkencave e ka kthyer orën në vitet 1970, kurse historianët e rinj synojnë t’i paraqesin gjetjet e tyre jashtë vendit, jo brenda.
– Sa dëshmorë kemi realisht të rënë në luftë ndaj pushtuesit? Që nuk kanë qenë 28 mijë, kjo është afërmendsh. Po sa dhe cilët janë ata?
– Si vazhdoi parlamenti pas vitit 1992 të miratonte ligje që mbronin dëshmorët ideologjikë?
– Përveç heqjes së eshtrave të Hoxhës nga Varrezat e Dëshmorëve në maj 1992, si nuk u rishikuan në këto 34 vjet statuset e dëshmorëve të atdheut?
– Si vazhdon të festohet pa asnjë reflektim 5 Maji si ditë e përkujtimit të dëshmorëve, një datë e miratuar më 1959 nga Byroja Politike?
– Si shpjegohet që shqiptarët, të rreshtuar në anën e duhur të historisë gjatë luftës, luftuan për t’u çliruar nga nazizmi, por e lanë veten të pushtohen nga enverizmi?
– etj. etj.
Raportimi mediatik sot mbi festimet e 80-vjetorit të çlirimit linte shumë për të dëshiruar, copy-paste e deklaratave zyrtare, asnjë analizë e thelluar se ç’fakte historike mund të jenë zbuluar këto 34 vite për LANÇ-in.
I vetmi kontribut me vlerë është materiali që Instituti i Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit – ISKK i ka dërguar Kuvendit të Shqipërisë për statusin e dëshmorëve dhe përdorimin e tyre propagandistik gjatë regjimit komunist deri në ditët e sotme.
(Balkanweb)