Shqipëria përkujtoi sot 80-vjetorin e Çlirimit nga pushtuesit nazi-fashistë. Në “Varrezat e Dëshmorëve të Kombit” u zhvilluan homazhe për këtë ditë. Ceremonisë së veçantë iu bashkuan krerët më të lartë të shtetit si presidenti Bajram Begaj, kryeministri Edi Rama, kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, ministri i Mbrojtjes Pirro Vengu, kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj e drejtues institucionesh.
Krerët e shtetit vendosën kurora me lule dhe u përkulën në shenjë nderimi para monumentit “Nënë Shqipëri”.
Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, përcolli edhe një mesazh: “Në 80-vjetorin e Çlirimit, nderojmë të gjithë dëshmorët, luftëtarët e martirët e Shqipërisë, jeta dhe vepra e të cilëve ka frymëzuar dhe do të frymëzojë brezat”.
Ceremonisë iu bashkua edhe PL, ndërsa si çdo vit, 29 nëntori u bojkotua nga Partia Demokratike, për të cilët çlirimi i Shqipërisë ka ndodhur në 28 Nëntor dhe jo një ditë më pas.
29 Nëntori është dita e të rënëve për lirinë e vendit gjatë Luftës së Dytë Botërore. Ushtria nacionalçlirimtare e Shqipërisë zhvilloi luftë të armatosur, të organizuar kundër okupimit të vendit nga pushtuesit nazi-fashistë.
Prej 7 prillit të vitit 1939 e deri më 29 nëntor të vitit 1944, Shqipëria ishte e pushtuar nga Italia fashiste dhe pas kapitullimit të saj, në vjeshtë të vitit 1943, Shqipëria u pushtua nga forcat gjermane.
Pas Çlirimit të Tiranës më 17 Nëntor 1944, komanda e përgjithshme e Ushtrisë Nacionalçlirimtare në Tiranë, do të njoftonte zyrtarisht dhe çlirimin e Shkodrës më 29 nëntor 1944. Kjo datë, u sanksionua e u skalit edhe si data e Çlirimit të Shqipërisë.
Në këtë mënyrë do të mbyllej njëherë e gjithmonë lufta epike nacionalçlirimtare e popullit shqiptar.
Si gjithnjw,
(BalkanWeb)