ELBASAN
Me rastin e 80 vjetorit të Çlirimit të Shqipërisë nga pushtuesit nazi-fashistë në Elbasan po zhvillohen aktivitete të shumta sportive krahas atyre kulturore -artistike. Gjatë ditëve të fundit me mbështetjen e Shoqatës Rajonale të Futbollit Elbasan në bashkëpunim
me ZVAP u organizua një turne sportiv mes shkollave të mesme të qytetit.
Në këtë turne morën pjesë 12 shkolla dhe fituese në fund u shpall Gjimnazi “Dhaskal Todri” që mundi në finale Gjimnazin “Kostandin Kristoforidhi”. Përveç dy shkollave finaliste, pjesëmarrëse ishin edhe Gjimnazet “Nikola Koperniku”, Rahma School”, “Onufri”, “Vasil Kamami”, “Mahmud e Ali Cungu”, “Luigj Gurakuqi”, “Liria”, “Maarif Schools”, “Ahmet Dakli” dhe “Anastas Çakalli”.
Gjatë turneut ra në sy mobilizimi maksimal i të gjitha ekipeve sportive të 12 shkollave pjesëmarrëse. Ndeshjet mes tyre ishin të gjitha cilësore dhe u ndoqën dhe u mbështetën fuqishëm nga nxënësit e Gjimnazeve që ato përfaqësojnë. Të pranishëm në ndeshjen finale dhe aktivitetin përmbyllës ishin edhe Specialistja e Monitorimit dhe Kurrikulës dhe Zhvillimit Profesional në ZVAP Elbasan, Valbona Gjini, e cila u dhuroi certifikatat e ” 80 vjetorit të Çlirimit” skuadrave pjesëmarrëse.
Ndërsa kreu i SHRF Elbasan, Ilirjan File, i dhuroi trofeun ekipit kampion të Gjimnazit “Dhaskal Todri”. Drejtori teknik i ekipeve te Përfaqësueseve Rajonale, Eriol Merxha i SHRF Elbasan u dhuroi disa topa futbolli 12 ekipeve të Gjimnazeve të Elbasanit.
Në fjalën e tyre përshëndetëse ata përgëzuan të rinjtë gjimnazistë për vlerësimin që i kishin bërë këtij turneu të organizuar me rastin e 80 vjetorit të Çlirimit të Elbasanit dhe Shqipërisë.
Me këtë rast autoritetet u bënë thirrje gjimnazistëve dhe gjithë të rinjve që të merren sa më shumë me aktivitete sportive .Ata i vlerësuar maksimalisht skuadrat pjesëmarrëse të cilat treguan dëshirë dhe seriozitet në këtë aktivitet masiv, me dëshirën që të tilla aktivitete të kësaj natyre të mbahen edhe në të ardhmen pasi sporti është jashtëzakonisht i rëndësishëm në jetën sociale dhe në shëndetin tonë. Sporti duhet ushtruar që nga fëmijëria e hershme,pasi aktiviteti fizik ndikon shumë edhe në rritjen e inteligjencës dhe rezultateve më të mira në shkollë.