Kryetarja e grupit parlamentar të PDIU, Mesila Doda, e ftuar në studion e emisionit “Kjo Javë” në News24 ka deklaruar se çështja kombëtare dhe ajo çame në veçanti janë në thelb të axhendës politike të forcës që ajo përfaqëson.

Ajo zbuloi se do të ketë një përkujtim në 80-vjetorin e gjenocidit ndaj shqiptarëve të Çamërisë, që do të përfshijë edhe një vizitë në varrezat monumentale të Kllogjerit.

“Ne kemi çështjen kombëtare në axhendën tonë dhe me vëmendje të veçantë çështjen çame. Këtë herë do bëhet një përkujtimore, në datën 27 qershor është shpallur dita e gjenocidit mbi shqiptarët e Çamërisë. Në sallë do ketë një aktivitet, të gjithë deputetët janë të mirëpritur për të marrë pjesë. Janë ftuar shqiptarë nga Kosova, nga Maqedonia e Veriut dhe të gjitha trevat.

Data 27 qershor është data zyrtare e gjenocidit mbi shqiptarët e Çamërisë. Në datën 27 do kemi kërkesën për një minutë heshtje në parlament, por do shkojmë edhe në varrezat monumentale të Kllogjerit. Në datën 22 do jetë eventi i përhershëm. Më pas ka një koncert në Sarandë me përfaqësues të gjithë trevave. Është e rëndësishme sepse është 80-vjetori i gjenocidit”, u shpreh ajo.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb