Në emisionin Vetting në News24 është trajtuar çështja e rindërtimit në Bashkinë e Vorës, ndërsa hidhet dritë mbi mënyrën se si janë përdorur fondet dhe si janë favorizuar kompani në këtë proces.

Mes godinave që do të rindërtoheshin në Bashkinë Vorë ishte edhe ajo e administratës lokale, pra Bashkisë së qytetit.

KLSH në auditin e kryer për rindërtimin e godinës së Bashkisë vëren disa pasaktësi.

Në procedurën e prokurimit me objekt “Rindërtimi i Godinës së Bashkisë, Bashkia Vorë”, Komisioni i ngritur për hartimin e kritereve të veçanta të kualifikimit përbëhet nga 3 juristë dhe asnjë specialist fushe. Ky tendër ëshët cilësuar me risk të lartë nga KLSH dhe në analizën e dhënë kontrolli sqaron se  “titullari i AK, të marrë masa që në çdo procedurë prokurimi, të përcaktojë minimalisht 1 person i cili të jetë specialist i fushës që lidhet me objektin e prokurimit, kjo për të hartuar kritere të përshtatshme dhe në përputhje me objektin që prokurohet”.

Eksperti Zef Preçi thekson se nuk ka asnjë ndëshkim për procedurat e gabuara tashmë edhe pas tërmetit.

Në datën 29.10.2021 është hapur tenderi  nga  Bashkia Vorë për rindërtimin e një kopshti publik program i rindërtimit me vlerë 884 milion lekë pa TVSH. Në garë morën pjesë 3 kompani. Koha e përcaktuar për ndërtimin e kopshtit ishte 12 muaj.

Tenderi Kopshti
Tenderi Kopshti

Bashkimi i operatorëve Ergi Shpk, Egeu Stone Shpk  dhe Aepa Group rezultuan fituesit e kësaj procedure.

Egeu Stone me aksioner Gëzim Bregu e ka përfituar këtë kontratë edhe pse në bashkëpunim në kundërshtim me ligjet pasi nuk plotësonte kushtet.

Një ndër pikat që duhet të përmbushen patjetër lidhen me dokumentet standarte të tenderit.  Kompania Egeu Stone nuk kishte shlyer taksat dhe tarifat vendore për vitin 2021 duke mos qenë korrekte me shtetin.

Sipas ekstraktit historik në Qendrën Kombëtare të Biznesit, Egeu Stone ka pasur adresa sekondare gjatë vitit 2021 në Bashkitë Korçë, Vlorë dhe Rrogozhinë, të cilat janë mbyllur gjatë vitit. Për periudhën e caktuar, ky operator duhej të likuidonte detyrimet përkatëse pranë këtyre bashkive, ndërkohë në dokumentacionin e paraqitur nuk ka asnjë vërtetim për likuidimin e detyrimeve vendore pranë këtyre subjekteve.

Egeu Stone  gjithashtu nuk përbushte një tjetër pikë të DST që lidhej me pjesëmarrjen në një punë të ngjashme, për punën që ky subjekt pretendonte  mungontedokumentacioni përkatës në dosjen.

Kompania e Egeu stone nuk disponon as kategorine e licensës NS-3, NS-12, NS14 dhe NS-18.

Pavarësisht gjithë shkeljeve, kjo kompani  që do të kryente edhe 43% të punimeve, nuk ka as inxhinierët e duhur për të ndërtuar kopshtin e fëmijëve në Vorë. Konkretisht i mungon inxhinieri elektrik, inxhinieri hidroteknik, inxhinieri i mjedisit, të cilët duhet të figuronin në licensën e shoqërisë.

Egeu Stone me pronar Gëzim Bregu nuk ka provuar se disponon staf teknik të nevojshëm për realizimin e kontratës, ndërkohë që ka marrë përsipër angazhim në një masë relativisht të madhe, konkretisht 43% të punimeve. Pasi sipas ligjit të prokurimeve publike subjekti që merr më shumë përqindje pune duhet të ketë stafë përkatës  në përputhje  me përqindjen e realizimit të kontratës.

Sakaq edhe kompanitë e tjera që janë shpallur po ashtu fituese në këtë tender kanë rezultuar me mangësira në dokumentacion.

Ergi shpk me Aksioner Nuri Balla gjithashtu ka shkelur kriteret e dokumenteve standarde të tenderit.

Ky subjekt nuk përmbush kriterin e pikës 2.3.3 të DST për shlyerjen e taksave dhe tarifave vendore për vitin 2021. Sipas ekstraktit historik të QKB, rezulton se ky OE ka hapur adresa sekondare pranë bashkive Tiranë, Durrës dhe Kavajë, ndërkohë nuk ka paraqitur asnjë vërtetim për të konfirmuar likuidimin e detyrimeve vendore pranë këtyre subjekteve të vetëqeverisjes vendore, në kundërshtim me kërkesën në DST

Ergi shpk nuk është një kompani e panjohur për opinionin publik.

Pronari Nuri Balla në vitin 2017 ka qenë nën hetim prej Prokurorisë së Elbasanit. Në atë kohë akuza nisi të ashtuquajturin mega operacion hetimor për burimin e pasurisë së 67 personave, midis të cilëve gjendeshin edhe të afërm të ish-kryebashkiakut Qazim Sejdini.

Lista voluminoze përmbante edhe emra të biznesmenëve të ndryshëm dhe të njohur si të fuqishëm në Elbasan, ku ndër ta ishte edhe Nuri Balla.

Firma e Nuri Ballës është mjaft e njohur për tenderët që zhvillohen nga kryebashkiakët e Juglindjes. Kujtojmë se, më 19 qershor 2023, shoqëria “ECO-ELB” e bashkisë Elbasan, që ka në administrim landfillin dhe inceneratorin “Albtek Enery”, i ka dhënë firmës “ERGI Sh.p.k”, të drejtën e modifikimit, testimit dhe ndezjes së inceneratorit të Elbasanit, kundrejt vlerës 27.5 milionë lekë.

Ndërsa sipas dosjeve në e Prokurorinë Elbasan dhe në SPAK, e gjithë familja “Balla” janë nën hetim për evazion fiskal. Edhe njëherë tjetër shohim se si paratë e taksapaguesve përfundojnë në duart e afaristëve të integruar me pushtetin.

Ergi Balla
Ergi Balla

Kompania e tretë e këtij konsorciumi Aepa Group me pronar Ariel Shkullaku gjithashtu rezulton me mungesë të dokumentacionit të rëndësishëm për zhvillimin e kësaj pune publike të kontraktuar.

Aepa group kishte për të përfunduar vetëm 1 përqind të punimeve  sipas preventivit. Aepa pavarsisht se e ka fituar këtë punë publike  nuk disponon licensë NS-3, NS-12, NS14 dhe NS-18.

Bashkimi i operatorëve për të ndërtuar kopështin janë kualifikuar në kundërshtim me legjislacionin e prokurimeve publike.

Pas çdo shifre a transaksioni, fshihet një histori e harruar, një dramë e pashfaqur. Milionat fluturojnë nga një kompani në tjetrën, në një rrugëtim të paligjshëm drejt përqëndrimit të parasë në pak duar. Ky proces korrupsioni i përsëritur që kalon pa ndëshkim, ndodh në kurriz të këtyre banorëve që janë në pamundësi për të fituar të drejtën e tyre, të harruar nën hijen e shpresës së fikur.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb