Sot në emisionin “Me Zemër të Hapur” në News 24 rikthehet historia e Ardit Laskës i cili tre vjet më parë rrëfeu historinë e tij, arrestimin në datën 31 mars të vitit 2001 nën akuzën “vjedhje me armë në bashkëpunim”.

Laska rrëfeu për padrejtësinë që e la në burg për 9 vjet rresht si dhe orvatjet e pafundme në sistemin gjyqësor shqiptar. Një sistem që tregoi padrejtësinë e cila i shkatërroi jetën një të pafajshmi. Arditi rrëfeu se ishte pikërisht Gjykata e Strazburgut që i dha këtij qytetari shpresën për të luftuar.

Në vitin 2004 ai iu drejtua kësaj gjykate dhe në vitin 2010 u lirua me kusht. Gjykata e Strasburgut rrëzoi provat që e lanë 9 vjet pas hekurave qytetarin. Çështja u rikthye për rigjykim në Gjykatën e Apelit Shkodër ku kjo e fundit më datë 17 qeshor 2013 mori vendimin të pushonte çështjen në mungesë së provës së fajësisë.

Qytetari pasi mori pafajsinë filloi sërish orvatjet në sistemin gjyqësor shqiptar. Çështja prej dy vitesh shkoi në Gjykatën Administrative për kompesim për burgimin e padrejtë. Gjykata në 16 mars të 2016 mori vendimin që qytetari të kompesohej me shumën 56 milion e 600 mijë lekë të vjetra. Por vuajtjet për qytetarin nuk mbaruan ashtu si edhe padrejtësitë nga ana e sistemit gjyqësor pasi shuma e kompesimit u rigjykua në Gjykatën e Apelit të Tiranës, e cila e zbriti këtë shumë kompesimi me vendim të formës së prerë në datën 20.12.2018 në 35 milion lekët të vjetra.

Edhe kur Ardit Laska mendoi se më në fund do të merrte paratë që i takojnë sërish ai përballet me një tjetër padrejtësi atë të mos ekszekutimit të vendimit nga ana e përmbarimit. Edhe këtu sërish padrejtësi dhe sorollatje. Përmbarimi i Pukës, i cili duhet të kishte bërë ekzekutimin e vendimit, nuk e kreu. Çështja edhe pse mori formën e prerë, u dërgua nga Ministria e Financës për rigjykim në Gjykatën e Lartë, një rekurs i cili duket qartë që është bërë për të ulur shumën e kompesimit që Arditit i takonte me ligj.

Emisioni me “Zemër të Hapur” pasi kontaktoi me zyrën përmbarimore Pukë, vuri në lëvizje këtë të fundit të bëjë ekzekutimin e çështjes. Sot për Arditin a do të ketë një zgjidhje? A do të marrë ky qytetar më në fund atë çfarë i takon?

“Iu kam lënë Zotin që ditën e parë që më kanë futur në burg me të padrejtë, më kanë detyruar të vij deri këtu, se nuk është se merrem me këto gjëra, por është e drejta ime dhe nuk mund të ma mohojnë”, apeloi Laska në studio.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb