TIRANE- Ne nuk i njohim ligjet tuaja. Na gjykoni me ligjet e Allahut”. Nëntë të akuzuarit për rekrutim të besimtarëve myslimanë shqiptar për xhihad luftarak në Siri, ndonëse rrezikojnë dënime të rënda, refuzojnë t’u binden urdhrave të Gjykatës për Krime të Rënda. Të pandehurit, përpos faktit që refuzojnë të ngrihen në këmbë, në shenjë respekti ndaj solemnitetit të gjykimit, preferojnë që edhe trupës gjyqësore t’i flasin që nga karrigia e tyre në kafazin e hekurt.

Madje, në seancën e djeshme, disa prej të pandehurve janë shprehur se nuk i njohim ligjet e shtetit dhe nuk njohin kësisoj as procesin ndaj tyre. Gjyqi ndaj të akuzuarve Genci Balla, imam i vetëshpallur i xhamisë së Unazës së Re; Bujar Hysa, imam i vetëshpallur i Xhamisë së Mzezit dhe Gert Pashja, Verdi Morava, Oriol Reci, Zeqir Imeri, Fadil Muslimani, Astrit Tola dhe Edmond Balla është në fillimet e tij.

Dje Tola kërkoi veçim çështjeje, kërkesë që u rrëzua nga gjykata. Ndërsa Reci kërkoi gjykim të shkurtuar. Të pandehurit akuzohen se në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë rekrutuar dhe dërguar në Siri të paktën 70 besimtarë myslimanë shqiptarë që u janë bashkuar në Siri organizatave terroriste dhe kanë luftuar krah tyre.

(ma.ar/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: