Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, është përplasur me kryeredaktorin e Gazetës Shqiptare, Erl Murati, në emisionin “Real Story” të gazetarit Sokol Balla, që startoi mbrëmjen e sotme në ekranin e News 24. Murati e pyeti kryebashkiakun Veliaj lidhur me akuzat e opozitës mbi nënkryetarin e bashkisë, Arbjan Mazniku, se ka paguar 900 euro natën në një hotel të Spanjës.

Lidhur me këtë, Veliaj deklaroi se ka qenë një prenotim pune në grup dhe jo për qejf, ndërsa shtoi se dokumentet janë dorëzuar në Prokurori, e cila pritet të japë sqarimet.


Pjesë nga debati:


Erl Murati: Nuk jam dakord me gjuhën e Veliajt ndaj kritizerëve, duke i quajtur talebanë, qeqenë …
Veliaj: Kur e kam thënë këtë fjalë?
Murati: Keni thënë histerik, që është e njëjta. PD ka depozituar një kallëzim penal për nënkryetarin e Bashkisë, se ka paguar 900 euro nata në hotel, sipas opozitës është shkelje ligji, sepse ndalohen dhuratat për zyrtarët.
Veliaj: E kemi referuar gjithë dokumentacionin në Prokurori. Bëhej fjalë për një prenotim, jo pagesë. I kemi kërkuar Prokurorisë të shohë dokumentacionin ka qenë për grup njerëzish apo për person. Sa kohë është dhënë një çmim në paketë për tre aktorë, duhet sqarim. Mazniku do shkojë i pari, pasi të thirret nga Prokuroria, të sqarojë.


Murati: Ju vetë do e kishit pranuar një ofertë të tillë?
Veliaj: Kanë shkuar për punë, bashkia, implementuesi, komisioneri, e kanë fituar të tre këtë ofertë. Nëse do kishte qenë për qejf, do kishte sqarim tjetër.
Murati: Do e pranonit ju, nëse do ua ofronte një biznesmen këtë?
Veliaj: Nuk pranoj kështu gjërash, por ka qenë prenotim pune në grup. Nëse dikujt do t’i hapësh probleme, mund t’ia bësh, nëse i di destinacionin. Të gjitha këto le t’i sqarojë Prokuroria.

(d.ç./BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb