TIRANE

Gazetari Spartak Koka ka dhënë detaje rreth operacionit të sotëm të zhvilluar në Elbasan, që solli shoqërimin e disa personave, të cilët u kapën me armë dhe minë me telekomandë. I ftuar në emisionin ‘Kjo Javë’ në ‘News24’ Koka tha se njëri prej 4 personave te shoqëruar është nga fisi Çapja.

“Operacioni në Elbasan ka nisur që prej orës 14:00 të ditës së sotme për kapjen e personave me precedentë penalë. Thuhet se operacioni po zhvillohet në zonën ‘Emin Matraxhiu’, aty ku thuhet se banojnë pjesëtarë të fisit Çapja. Thuhet se një prej 4 të ndaluarve është nga fisi Çapja të cilëve iu gjetën  mina me telekomandë dhe armë. Operacioni është ende në vijim dhe nuk mund të jepen më shumë detaje. Operacioni kthen në vëmendje çështjen për të parandaluar personat që mbajnë mina me telekomandë, armë apo pajisje të tjera të ndaluara. Elbasani është një nga qytetet ku ka persona që kanë vendosur pasuri përmes aktiviteteve kriminale”- tha Spartak Koka.

Ndërkohë lidhur me taktikën e policisë së Shtetit për të publikuar identitetin e personave më të kërkuar në qarqe të ndryshme të vendit, gazetari u shpreh se kjo nuk është risi, pasi ata persona ndodhen prej vitesh në listën e personave të kërkuar.

“Një pjesë e këtyre personave kanë qenë prej vitesh në vëmendje të policisë dhe kanë qenë prej vitesh në listën e personave në kërkim. Ata gjenden me foto dhe emra për të gjitha ngjarjet për të cilat kërkohen”- tha Koka.

(d.d/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb