Rënia e vdekjeve në Shtetet e Bashkuara nga mbidoza e drogës duket se ka vazhduar edhe këtë vit, duke u dhënë ekspertëve shpresën se vendi po sheh përmirësim të qëndrueshëm përsa i takon kësaj epidemie. Pati rreth 97,000 vdekje nga mbidoza në periudhën 12-mujore që përfundoi më 30 qershor, sipas të dhënave paraprake të Qendrave për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC), të publikuara të mërkurën. Kjo është 14% më pak nga 113,000 që u vlerësuan për vitin pararendës.

“Ky është një ndryshim mahnitës dhe i shpejtë i numrave të vdekshmërisë nga mbidoza e drogës”, tha Brandon Marshall, studiues në Universitetit Broën. Niveli i vdekjeve nga mbidoza filloi të rritej në mënyrë të qëndrueshme në vitet 1990 për shkak të qetësuesve opioidë, të ndjekur nga valët e vdekjeve të udhëhequra nga opioidet e tjera, si heroina dhe – së fundmi – fentanili i paligjshëm. Të dhënat fillestare patën treguar një rënie të lehtë për vitin 2023 dhe raporti i publikuar të mërkurën tregoi se tendenca e rënies ka vazhduar.

Natyrisht, ka patur momente në vitet e fundit kur vdekjet nga mbidoza në Shtetet e Bashkuara kishin filluar të binin, vetëm për t’u rritur sërish, vuri në dukje zoti Marshall. “Kjo duket të jetë thelbësore dhe e qëndrueshme”, tha ai. “Mendoj se ka një arsye të vërtetë për shpresë”. Ekspertët nuk janë të sigurt për arsyet e rënies, por ata citojnë një kombinim faktorësh të mundshëm.

Njëri është COVID-19. Në ditët më të këqija të pandemisë, trajtimi i ndërvarësisë ishte i vështirë dhe njerëzit ishin të izoluar nga shoqëria – pa asnjë rreth shoqëror për të ndihmuar nëse merrnin mbidozë. “Gjatë pandemisë pamë një rritje meteorike të vdekjeve nga mbidoza e drogës, saqë është e natyrshme që do të shihnim një ulje”, tha Farida Ahmad, nga Qendra Kombëtare për Statistikat Shëndetësore të CDC-së.

Megjithatë, vdekjet nga mbidoza janë shumë më të larta se sa ishin në fillim të pandemisë COVID-19. Shifrat e fundit mund të jenë fryt i përpjekjeve prej vitesh për të rritur përdorimin e ilaçit naloxone, që zhbën efektet e mbidozës dhe të ilaçeve për trajtimin e ndërvarësisë, si buprenorfina, tha Erin Winstanley, profesore në Universitetin e Pitsburgut.

Zoti Marshall tha se përpjekje të tilla ka të ngjarë që po ndihmohen nga zgjidhjet e padive të lidhura me opioidet, të ngritura nga qeverisja shtetërore dhe lokale në Shtetet e Bashkuara kundër prodhuesve të drogës, shitësve me shumicë dhe farmacive. Fondet nga paditë e zgjidhura me marrëveshje janë shpërndarë në qytetet e vogla dhe të mëdha në mbarë SHBA-në, dhe disa kanë filluar t’i shpenzojnë ato për të blerë ilaçin nalokson dhe për masa të tjera.

Disa ekspertë janë pyetur për ndryshimet në furnizimin me barna. Xylazine, një qetësues, është zbuluar gjithnjë e më shumë në fentanilin e prodhuar në mënyrë të paligjshme dhe ekspertët po studiojnë se si kjo po ndikon tek mbidozat. Në të dhënat e fundit të CDC-së, raportimet për vdekjet nga mbidoza kanë rënë në 45 shtete. Rritje ka patur në Alaskë, Nevada, Oregon, Jutah dhe Uashington.

Uljet më dramatike u panë në Karolinën e Veriut dhe Ohajo, por zyrtarët e CDC-së shprehen të kujdesshëm, pasi disa juridiksione kanë patur vonesa në dërgimin e të dhënave të vdekjeve tek strukturat federale – veçanërisht në Karolinën e Veriut, ku hetimet për vdekjet janë ngadalësuar për shkak të mungesës së personelit në zyrën e mjekësisë ligjore të këtij shteti. CDC-ja bëri vlerësimet e saj në përpjekje për të përllogaritur të dhënat jo të plota të vdekjeve, por rënia në disa vende përfundimisht mund të rezultojë të mos jetë aq dramatike sa sugjerojnë shifrat fillestare.

Një kufizim tjetër i të dhënave të përkohshme është se nuk zbërthejnë se çfarë po ndodh në grupe të ndryshme njerëzish. Hulumtimet e fundit vunë re se vdekjet nga mbidoza tek afrikano-amerikanët dhe popullsia indigjene janë rritur në mënyrë disproporcionale. “Kemi vërtet nevojë për më shumë të dhëna nga CDC-ja për të mësuar nëse këto rënie po përjetohen në të gjitha nënkategoritë etnike dhe racore”, tha zoti Marshall./Voa/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb