Përfundon në pranga i gjashti i dyshuar për grabitjen në Rinas. “BalkanWeb” mëson se ai është ‘Daja’ nga Kosova.
50-vjeçari me pseudonimin “Daja” dhe i identifikuar si Ragip Hajdini dhe është arrestuar pasditen e sotme tek Shkëmbi i Kavajës. Aksioni në zonë është në vijim e sipër, por nuk dihet nëse policia ka rënë në gjurmët e ndonje bashkëpunëtori tjetër për grabitjen e 9 prillit në pistën e aeroportit të Rinasit.
Daja nga Kosova është përmendur edhe në dëshminë e dëshmitarit të drejtësisë, Alkond Bengasi, i cili thotë se këtë shtetas rreth 50-vjeç dhe tullac e kishte takuar bashkë me Admir Muratajn tek zona e Liqenit të Thatë në Tiranë. Bengasi thotë ndër të tjera se ishte në gjendje ta identifikonte “Dajën” nga Kosova nëse dikush i tregonte foton e këtij të fundit.
“Unë shkoja shpesh në banesën e Klementit e cila ndodhej afër shtëpisë time dhe në këtë banesë vinte shpesh edhe Admir Murataj. Po ashtu e kam takuar Admirin edhe me një person tjetër nga Kosova i moshës rreth 50 vjeç, qeros, të cilin Admiri e thërriste me pseudonimin “Daja”. Unë këtë person jam në gjendje që ta identifikoj nëse ai më tregohet. Po me këtë shtetas vinin edhe dy persona të tjerë, të cilët ishin nga Fushë Kruja, me sa di unë ku njëri thirrej me emrin “Olti” dhe tjetri “Tani”. Ata të dy vinin me një makinë Golf ngjyrë blu dhe të dy këta persona takoheshin me Admir Muratajn dhe shtetasin Kosovar të cilin Admiri e thërriste Daja”,- tha Bengasi në dëshminë e tij të siguruar nga “BalkanWeb”.
Ai po ashtu pranon se “Daja” njihej edhe me kushërin e tij Klement Cala të cilit i kishte shitur edhe një pistoletë.
“Kujtoj që Daja, Admir Murataj dhe Klement Çala mbanin gjithnjë armë me vete. Admiri mbantë dy pistoleta dhe bomba në çantë. Ja kam parë kur me ka kërkuar ti marr njëherë cigaret në çantë. Ndërsa Klementi mbante një armë tip Glock që ia kishte blerë Dajës nga Kosova dhe ka thënë që e ka blerë për 2500 euro”
(m.a/BalkanWeb)