TIRANE

Në një prononcim për mediat, vëllai i Ragip Hajdinit, i ndaluar si personi që njihet me nofkën “daja’ në grabitjen e Rinasit, thotë se vëllai i tij nuk ka lidhje me këtë ngjarje. Mustafa Haxhiajdini, vëllai i i Ragip Hajdinit, i cili mësohet se ka ndryshuar mbiemër gjatë luftës në Kosovë, ka pranuar të ketë njohje me familjen e Admir Muratajt. Ashtu si i vëllai edhe Mustafa Haxhiajdini ka deklauar se kanë qenë në varrimin e tij në Tropojë.

“Im vëlla nuk ka lidhje me grabitjen. Kemi njohje me familjen Murataj. Ishim në varrimin e Admirit në Tropojë. Nëse im vëlla ka lidhje me ngjarjen, le të mbahet në burg, por Prokuroria duhet të sjellë provat. Të vërtetojë përfshirjen e vëllait tonë në grabitje, dhe nëse kjo vërtetohet le të dënohet edhe me 30 vite burgim, jam i gatshëm t’ja firmos unë dënimit. “ u shpreh për mediat vëllai i Ragip Hajdinit.

Ndërkohë avokati i tij mbrojtës, Mirash Ndoci deklaron se klienti i tij po mbahet në qeli vetëm bazuar mbi deklarimet e Alkond Bengasit, personi që modifikoi furgonin e autorëve të grabitjes, e që tashmë ka fituar statusin e të penduarit të drejtësisë.

“Klienti im Ragip Hajdini kërkon me cdo kusht të ballafaqohet me Bengasin, po mbahet në burg vetëm mbi bazën e deklaratave te tij.” Është shprehur për mediat avokati i tij mbrojtës.

Ragip Hajdini u arrestua më 26 prill në zonën e Shkëmbit të Kavajës, si një nga të dyshuarit për grabitjen e 9 Prillit në Rinas. Arrestimi i tij erdhi pas dëshmisë së dëshmitarit të drejtësisë, Alkond Bengasi, që tha se “daja” nga Kosova ishte një person tullac, të cilin e kishte takuar disa herë me Admir Muratajn. Por në seancën për caktimin e masës së sigurisë, i arrestuari i gjashtë për grabitjen hodhi poshtë akuzat e prokurorisë, duke mohuar të ketë lidhje me ngjarjen.

Hajdini ndër të tjera tha se nuk është ‘daja’ që kërkon policia, pavarësisht se thërritet me të njëjtën nofkë dhe se ka pamje filmike që tregojnë se ku ka qenë ditën e grabitjes.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb