Jo vetëm Gattuso por dhe Leonardo rrezikon postin te Milan. Disa afrime si Higuain apo Laxalt, nuk janë pritur mirë nga fondi Elliott, fundja kur bëhet fjalë për llogari dhe shpenzime, fondi anglo-amerikan nuk fal. I gjithë diskutimi do të bëhet në fund të sezonit, akoma në valle është pjesëmarrja në Champions League, çdo diskutim kalon fillimisht nga ky objektiv.
Nëse Milan dështon edhe Leonardo mund të bëjë gati valixhet. Preferencë e parë e Ivan Gazidis është drejtori sportiv i Lillë, Luis Campos, një profil me shumë eksperiencë për më tepër është njeri i cili zbuloi Kylian Mbappe duke e transferuar te Monako. Campos mund të vij në Milano me dy talente që pëlqen shumë në ambientin kuqezi, Nicolas Pepe dhe Jonathan Bamba.
Një tjetër opsion për të zëvendësuar Leonardon është edhe Igli Tare. Drejtori sportiv i Lazios pëlqehet shumë nga fondi Elliott për atë që ai ka bërë këto vite me ekipin kryeqytetas. Dy janë pengesat e para në këtë transferim, Tare ka një kontratë të gjatë me Lazion ndërsa ka dhe një marrëdhënie shumë të afërt me presidentin Lotito, pavarësisht se këtë sezon janë përplasur shpesh. Tare vlerësohet shumë në ambientin sportiv në Itali për afrimin e disa lojtarëve anonim, me pak kosto por tashmë vlejnë miliona.
(BalkanWeb)