“Akademia do vazhdojë rrugën e saj. Ofron bashkëpunime me Këshillin e Ministrave më qëllim realizimin e reformës për shkencën. Gjërat duhet të jenë të konsoliduara në një ligj. Tani kemi vendosur një standard europian” (1 mars 2019- Skënder Gjinushi).
Skënder Gjinushi është zyrtarisht kandidati i vetëm në garë për kryetar të Akademisë së Shkencave. Njeriu që ka qenë në krye të grupit të reformës, që është marrë me ligjin dhe ka debatuar prej pothuaj një viti me akademikun Artan Fuga do të jetë praktikisht kryetari i Akademisë së Shkencave pas zgjedhjeve të datës 24 maj. Me gjasë nuk do të kishte emër tjetër më të favorshëm për të ruajtur dhe ofruar raporte bashkëpunimi me Akademinë e Shkencave, zgjedhjet e së cilës në shtatorin e pothuaj dy viteve më parë u cilësuan farsë dhe u anuluan. Kjo vetëm se kandidatë qenë dy akademikë që kishin qenë më herët kryetar e nënkryetar dhe kishin ndërruar vendet me njëri-tjetrin. Dy vite më pas, cili do të jetë emri që do të marrin zgjedhjet, kur duhet të bësh “zgjedhje” mes një emri të vetëm që nuk ka askënd përballë? Ish-ministër Arsimi në vitet 1987-1991 (në foto takimi i tij me studentët krah Ramiz Alisë) dhe kryetar i një partie politike për pothuaj gjithë vitet e demokracisë, Gjinushi tanimë rikthehet në shkencë duke synuar institucionin e saj më të madh, ndonëse ende krejt honorifik dhe dy vitet e fundit i varur krejtësisht nga qeveria, edhe për shkak të reformës së kërkuar. A do të arrijë vallë ish-ministri, të ringjallë akademinë që sipas kryeministrit shërbente vetëm për varrime? Si ish-aleatë politikë Rama dhe Gjinushi mund të gjejnë gjuhën e komunikimit, por sa oponente dhe objektive do të mund të jetë Akademia kundrejt qeverisë, kjo mbetet për t’u parë.
Për nënkryetar kandidon muzikologu Vasil Tole që prej 5 vitesh ka qenë sekretar shkencor i Akademisë. Ndërkaq për pozicionet e Sekretarit Shkencor kandidon Salvator Bushati dhe për pozicionin e Kryetarit të Seksionit të SHNT-së akademik Neki Frashëri.
Të plotë e lexoni në Gsh.al