Sot në studion e emisionit “Me Zemër të Hapur” në News24 ka ardhur rrëfimi i një nëne e cila vjen nga komuniteti rom. Orkida Driza, 40-vjeçare me 5 fëmijë e divorcuar nga dy bashkëshortë kërkon të punësohet. Kjo grua ka 14 vjet që lufton për integrimin e komunitetit që ajo përfaqëson. Driza rrëfen se ka luftuar por ende sot e kësaj dite nuk ka arritur dot të punësohet.

Në pamundësi ekonomike për të rritur fëmijët e saj ajo rrëfen se i ka lënë në ngarkim të ish-bashkëshortëve. 40-vjeçaria thotë se ndihet e zhgënjyer nga indiferenca e institucioneve, prej vitesh ajo është marrë me zgjidhjen e shumë problematikave që has komuniteti për sa i përket arsimit, regjistrimit të fëmijëve në shkolla apo edhe për sa i përket problemeve që ata kanë me strehimin dhe marrjen e banesës sociale.

Orkida thotë se ka zhvilluar herë pas here takime në bashki ku dhe i është premtuar të punësohet, por ajo nuk ka arritur të marrë një përgjigje. Kjo nënë po has probleme të shumta ekonomike, edhe pse ajo përpiqet të punojë dhe të fitojë para me ndershmëri.

“Nuk kërkoj lëmoshë, por i bëj thirrje kryetarit të bashkisë që të punësohem”, tha 40-vjeçarja.
Gruaja ka vetëm arsimin e detyrueshëm 9-vjeçar dhe ka zhvilluar një kurs profesional për infermieri. Nëna po përballet me sprovën më të madhe që fati mund t’i bëjë një gruaje, e cila është pamundësia për të rritur fëmijët që i ka sjellë në jetë.

Kjo thirrje është një kambanë alarmi, pasi kur flitet për një komunitet rom dhe për integrimin e tij , si mund të mos përfshish individë edhe pse nuk e ka arsimin e lartë. Emisioni me Zemër të Hapur ka kërkuar bashkëpunim me Bashkinë për ti dhënë një dritë shprese kësaj gruaje.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb