Studiuesi i njohur, Moikom Zeqo ka komentuar sot situatën politike në vend në programin “A Shoë” në News 24. Ai thotë se e ka parë këto kohë politikën si fenomen, pasi vetë është larguar prej saj dhe del në konkluzionin se në Shqipëri mbizotëron akoma një klasë parapolitike.
Sa për zhvillimet e fundit, çdekretimin e datës së zgjedhjeve nga Presidenti, Ilir Meta, Zeqo tha se ky është një rast i përsëritur. Sipas tij, vendimi i Metës kishte një precedent të fortë, mos pjesëmarrjen e opozitës në zgjedhje.
Adi Krasta: Ti je bërë 70 vjeç, urime!
Moikom Zeqo: Faleminderit
Adi Krasta: Si është një shkrimtar studiues në këtë moshë?
Moikom Zeqo: Truri plaket…
Adi Krasta: I fundit…
Moikom Zeqo: Edhe i pari (qesh) Njeriu që shkruan është krijues, është njeriu i mendjes
Adi Krasta: Të erdhi mirë çmimi “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut” dhënë nga Meta?
Moikom Zeqo: Ky çmim ishte propozim nga Akademia e Arteve dhe Shkencave. Me gjithë peshën e nderit që mund të ketë ngjall vëmendjen e topitur ndaj kolegëve të mi, njerëzit që vuajnë varfëri të tejskajshme por që nuk përfillen nga politika.
Adi Krasta: Edhe ti je i tillë?
Moikom Zeqo: Unë kam qenë në politikë…Sot jam krejt i huaj sidomos për forcën ku kontribuova fort. Sot jam i distancuar sidomos nga opinion bëresit të lidhur me interesa të caktuara. E kam parë politikën si fenomen, nuk ka folur në mënyrë fyese, kritike. Këtë klasë e kam quajtur klasë parapolitike. Është e tillë edhe në Kosovë e Maqedoni. këtu mbizotëron ideja e politikanëve që nuk e kuptojnë thelbin e kulturës politike.
Adi Krasta: Si e ke perceptuar veprimin e Presidentit për çdekretimin e datës së zgjedhjeve?
Moikom Zeqo: Është një gjë e përsëritur. Nuk është hera e parë që ndodh, e ka bërë edhe Nishani. Ndoshta duhet të kishte një datë të dytë, ose duhej thënë se do ketë një datë tjetër. Por në këtë rast kishte një precedent: Forca më e madhe opozitare nuk hynte në zgjedhje.
(m.a/BalkanWeb)