Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste dhe kreu i grupit parlamentar të kësaj partie, Taulant Balla, ka reaguar pas lajmit se Këshilli i Evropës ka tërhequr vëzhguesit pak ditë para zgjedhjeve vendore në Shqipëri, me argumentin se procesi është i pasigurt.

Menjëherë pas deklaratës së Bashës, i cili duke referuar vendimit të KiE, deklaroi se zgjedhje nuk do të ketë, ka reaguar për “News24” Taulant Balla, i cili është shprehur se ekskluzivitetin për zgjedhjet në Shqipëri e ka OSBE/ODIHR.

Sipas numrit dy të PS, gjithçka është dërdëllitje, pasi sipas tij, Kongresi i Autoriteteve Lokale nuk është KiE, dhe as zgjedhjet parlamentare të vitit 2017 nuk janë monitoruar prej tij.

Deklarata e Bashës, Balla flet për “News24” për vendimin e KiE …

Së pari, me lejo të sqaroj se Kongresi i Autoriteteve Lokale është një prej institucioneve përbërëse të KiE, por nuk është KiE, nuk bëhet fjalë fare për gjithë dërdëllitjen që sapo dëgjuan shqiptarët. Është si ai i mbyturi që kërkon të kapet pas çdo çengeli që i del para. Brenda KiE kjo javë ka qenë shumë intensive, bëhet fjalë për çështje të buxhetit, pas ka problem prej muajsh.

Zgjedhjet në Shqipëri edhe më 2017 nuk janë monitoruar nga Kongresi i Autoriteteve Lokale. Zgjedhjet monitorohen nga OSBE/ODIHR dhe keni parë prezencë shumë aktive të drejtueses së këtij institucioni, Glover. Ky autoritet gëzon reputacion ndërkombëtar për vëzhgimin, e njeh shumë mirë Shqipërinë.

Numri i vëzhguesve të akredituar nga ODIHR në këto zgjedhje është tejet i madh, për një vend me 3 milionë banorë. Përtej sjelljes së këtij lajmi si një dramë, nuk ka nevojë fare për ta trajtuar si tejet të rëndësishëm. Është pjesë e një funksionaliteti. Para 8 muajve i kërkova Metës që zgjedhjet të mos mbaheshin më 30 qershor, për shkak të vapës së madhe, por u caktua dhe do të mbahen. Nuk preket aspak raporti përfundimtar, ekskluzivitetin e të cilit e ka OSBE.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb