Pavarësisht se mbrëmjen e djeshme, ka rënë pre e dhunës nga forcat RENEA në Dibër, teksa filmonte arrestimin e disa personave, gazetari i News 24, Enver Doçi është sot në krye të detyrës.
Ai thotë se e ka lënë vetë spitalin për të bërë detyrën, ndërkohë që mjekët i kishin rekomanduar të qëndronte 4 ditë në spital.
“Sot kam lënë spitalin e Dibrës, mjeku me tha që 4 ditë nuk duhet të lëvizësh por unë sot doja të isha në krye të detyrës”,- tha gazetari, ndërsa raportoi për një proces të qetë votimi në këtë qark.
Doçi ka treguar me gojën e tij gjithçka i ndodhi një natë më parë.
“10 minuta ka qënë një tmerr, kur u fut policia brenda në lokal unë nxora telefonin dhe fillova të filmoj. Pavarësisht se ju thashë që jam gazetar e i tregova kartën, më goditën policët. Më shtrinë përtokë”,- tha Doçi.
(m.a/BalkanWeb)