NGA ENVER DOÇI*
DIBËR- Ndonëse ishin bashkë PS dhe LSI në zgjedhjet e 21 qershorit ku dhe fituan bashkinë e Dibrës, drejtues lokal të Lëvizjes Socialiste për Integrim janë të pakënaqur me postet drejtuese në administratën vendore. Në një intervistë të dhënë për Neës24, kryetari i LSI Dibër, Beqir Bici, shprehet se forca e tij politike që përfaqëson është anashkaluar nga kreu i ri i Bashkisë Dibër, Shukri Xhelili.
Sipas tij, kryebashkiaku Xhelili nuk i ka dhënë asnjë njësi administrative për të drejtuar. Bici shprehet se ky anashkalim nuk ka asnjë arsye të presë reformën administrative që do të implementohet në janar të vitit të ardhshëm.
“Kryebashkiaku i ri pasi mori postin na anashkaloi. PS nuk na ka dhënë asnjë post drejtues pas zgjedhjeve. Nuk na dhanë asnjë njësi administrative për të drejtuar”, ka thënë Bici.
Ndërsa kreu i Bashkisë Dibër, Shukri Xhelili përfaqësues i Partisë Socialiste shprehet se administratorët e njësive nuk janë zgjedhur nën logot e partive, por janë zgjedhur në bazë të arsimimit dhe kontributit të tyre shoqëror. Sipas Xhelilit, LSI-së në Dibër mund t’i lihet pozicioni i kryetarit të Qarkut, ndërsa në Bashki ende nuk janë bërë ndryshime.
(m.k/BalkanWeb)