Gjatë këtyre javëve në numrat e vënë në dispozicion nga Policia e Shtetit ka pasur telefonata shumë të pakta në lidhje me informacionet mbi të dyshuarit në kërkim.

Të dhënat e grumbulluara janë verifikuar nga uniformat blu por nuk i kanë çuar në gjurmë të vëllezërve Klement e Eldi Çalës, si dhe Talo Çelës të shpallur në kërkim lidhur me grabitjen e ndodhur në Rinas në 9 prill të këtij viti, ku u morën miliona euro në pak minuta dhe mbeti i vrarë Admir Murataj.

Policia ka shkëmbyer informacion edhe me policinë kosovare pasi besohet se të dyshuarit mund të kenë kaluar kufirin pas grabitjes.

Më herët policia ka venë në pranga shtetasit Ragip Hajdini, Elton Pikli, Renaldo Sulaj, Oltjan Veseli, Saimir Cela dhe Alkond Bengasi.

Dëshmia e këtij të fundit zbuloi grupit, duke pranuar të bashkëpunojë me drejtësinë. Më 15 qershor të këtij viti policia vuri në pranga edhe Hasan Kanaçin, personin që informoi grabitësit nga brenda aeroportit. Ndërsa gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e tij u gjetën rreth 100 mijë euro, të konvertuara në kartmonedha të ndryshme, për të cilat ka dyshime të forta se i përkasin shumës prej 4.6 milionë eurove të grabitura në Rinas të cilat do të transportoheshin me avion nga Shqipëria drejt Vjenës.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb