TIRANE
I është dhënë lamtumira, regjisorit e skenaristit të njohur, Gjergj Xhuvani. Trupi i pajetë i regjisorit Xhuvani, bashkëshort i aktores Luiza Xhuvani mbërriti mëngjesin e së martës në Rinas, ndërsa disa orë më vonë, familjarë, të afërm, miq, kolegë e bashkëpunëtorë e kanë përcjellë, drejt banësës së fundit, përmes një ceremonie mjaft private e larg syrit të medias.
Gjergj Xhuvani u nda nga jeta më 14 gusht pas një ataku kardiak. Ai ndodhej në Romë ku po punonte për filmin e tij të fundit “Liqeni im”.
Gjergj Xhuvani, regjisor, skenarist dhe producent lindi në vitin 1963 në Tiranë. Në vitin 1986 u diplomua në Akademinë e Arteve në Tiranë, dega Artet Dramatike. Që nga viti 1986 deri në vitin 1990, punoi si asistent regjisor në shumë filma dhe në vitin 1991 realizoi filmin e tij të parë “Bardhë e zi”. Xhuvani ishte i pari kineast shqiptar që mundi të çonte Shqipërinë në Kanë, përmes filmit “Parrullat” në vitin 2001.
(BalkanWeb)