HIMARË
Mjetet e rënda vijojnë punën për shembjen e restorantit të Mihal Kokëdhimës në plazhin e Porto Palermos në Himarë. Ky aksion i IKMT-së vjen pas ngjarjes së rëndë, ku pronari i saj ushtroi dhunë fizike dhe psikologjike mbi turistët spanjollë, të cilët për fat të keq mbetën të tmerruar. Për këtë aksion ka reaguar edhe Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit.
Sipas tij, bar restorant “Panorma” rezultonte pa leje dhe ndërkohë shfrytëzonte kundrejt pagesës edhe një pjesë të konsiderueshme të plazhit. Gjithashtu IKMT thotë se pas shembjes se këtij objekti do të vijojë puna intensive në të gjithë vijën bregdetare të vendit.
Njoftimi i IKMT-së:
IKMT prish “Panormën”
Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit ka vendosur të prishë bar-restorantin “Panorma” në Porto-Palermo, i ekspozuar publikisht pas një skandali të pronarit me disa turistë spanjollë dhe dy shoqëruesit e tyre shqiptarë.
Objekti rreth 2 mijë metër katror, i ndërtuar në një nga zonat më të bukura bregdetare të Shqipërisë, rezulton pa leje, ndërkohë që shfrytëzonte kundrejt pagesës edhe pjesën e plazhit.
Në këtë operacion, IKMT nuk ka hasur në kundërshtime të qytetarëve. Çdo veprim i saj ka qenë i koordinuar ngushtësisht me policinë e shtetit. Menjëherë pas përfundimit të këtij operacioni, IKMT do të vijojë punën në gjithë vijën bregdetare te vendit.