Gazetarja Dorjana Bezat ka zbardhur të tjera detaje për “BalkanWeb” lidhur me ngjarjen që tronditi kryeqytetin një ditë më parë, teksa u qëllua me plumb në kokë në “Myslym Shyri” 26-vjeçarin Indrit Çelaj, i cili ndërroi jetë sot në Spitalin e Traumës.
Gazetarja Bezat sjell pamje nga kati i parë i vilës, ku ndodhi gjithçka, teksa shihet ambienti në të cilin punonte i riu dhe mjetet e punës. Shkak i krimit dyshohet të ketë qenë një konflikt i çastit, i cili ka nisur me një përplasje verbale mes viktimës dhe dy vëllezërve, që ishin djemtë e pronarit të vilës, duke bërë që këta të fundit të nxjerrin armën dhe të qëllojnë mbi punëtorin e tyre.
Viktima nuk rezulton me precedentë penalë dhe nuk është person i skeduar nga policia. Ndërkohë, pas ngjarjes vëllezërit i kanë kërkuar shokut të tyre, Lorenc Veliaj, të marrë përsipër krimin, pasi ky i fundit ishte person me precedentë penalë.
26-vjeçari ishte nga Mallakastra, por prej kohësh ishte zhvendosur me banim në Tiranë, ku punonte në fushën e kondicionimit të ambienteve, prej disa vitesh.
(d.ç./BalkanWeb)