TIRANË

Emisioni “Me zemër të hapur” në News24 ka folur sot për vrasjen e 26-vjeçarit Indrit Çela, një vrasje banale për kondicionerin që shokoi opinionin publik.

Babai i të riut që punonte si teknik kondicionerësh dhe xhaxhai i tij kanë pranuar të flasin për Indritin dhe peripecitë e tij për të nxjerrë familjen nga varfëria.

Avokati Idajet Beqiri duke folur në emision iu ka shprehur ngushëllimet dy familjarëve të tij, ndërkohë që tha se ngjarja tregon se në çfarë shoqërie jetojmë, duke e cilësuar makrabre dhe se në fund edhe kriminelët kanë një moral.

“Iu shpreh ngushëllimet babait dhe xhaxhait. Indriti ishte një engjëll dhe engjëll iku, i ndritë shpirti. Kjo ngjarje tregon në çfarë shoqërie jetojmë. Edhe kriminelët e kanë një moral…ky ishte një krim makabër. Ata morën një jetë njeriu dhe jeta e tyre s’ka më kuptim”, tha Beqiri.

Psikologia e emisionit, Almeida Xhaferri, tha se dhimbja e familjarëve ështe e madhe, kërkon kohë që njeriu të pranojë së paku humbjen. “Jam e bindur që prindërit akoma nuk e besojnë atë që ka ndodhur. Shoku ka qenë i madh”, u shpreh ajo.

NGJARJA
22 Gushti, shokoi mbarë opinionin publik, një 26-vjeçar nga Mallakastra teksa montonte kondicionerin në një banesë në Tiranë, në zonën e “Myslym Shyrit”  u qëllua me plumb në kokë nga pronarët e shtëpisë. Ngjarja e pazakontë ku humbi jetën i riu Indrit Çelaj krisi ekranet televizive.

Goditja e pamëshirshme tronditi familjen Çela e cila tashmë ndodhet në një gjendje shoku. Konflikti ishte tepër banal, grindja sipas hetimeve dhe dëshmive ka ndodhur pasi kondicioneri pikonte. Autorët e krimit vëllezërit Griseldo dhe Albano Kusi bashkëpunëtorë në vrasje janë vënë në kërkim për krimin e rëndë dhe për armëmbajtje pa leje, ndërkohë Policia e Tiranës ka vënë në pranga 4 persona, mes të cilëve edhe pronarin e vilës që po rikonstruktohej, Bujar Kusin, 54 vjeç.

Tre të arrestuarit e tjerë janë Edmond Sula, i cili akuzohet për veprat penale “Vrasja me dashje” në bashkëpunim, “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armeve luftarake dhe e municionit” dhe “Përkrahja e autorit të krimit”, Ferdinand Bakalli dhe Luan Çaka gjithashtu akuzohen për “Moskallëzim krimi” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”.

Sot për herë të parë në një studio televizive ka gjetur forcën të flasë babai i 26-vjeçarit Baftjar Çela. Dhimbja është e madhe por a sot bën apel për drejtësinë, kërkon ndëshkim për autorët që i morën jetën të birit.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb