Është ndarë nga jeta ish-gjenerali Rrahman Parllaku.
Parllaku u nda nga jeta në moshën 100-vjeçare.
Kush është ish-gjenerali Rrahman Parllaku:
Lindi në fshatin Novosej të Lumës. Shkollën fillore e kreu në Shishtavec. Në moshën 12-vjeçare ka filluar punë me babanë dhe vëllanë në profesionin e pastiçierit nga viti 1932 në Cakran të Mallakastrës dhe nga viti 1936 në Selenicë të Vlorës.
U kthye përsëri për të vazhduar shkollën dhe për të dhënë provimet. Me ndihmën dhe këmbënguljen e mësuesit të tij Salih Kolgeci, dhe të drejtorit të shkollës Myslim Sina nga Tërbaçi i Vlorës, arrin ta përfundojë arsimin fillor 5 vjeçar.
Më 1930, babai i Rrahmanit, Latifi , së bashku me të vëllain u largua për në Vlorë dhe Cakran të Mallakastrës. Nga viti 1936 deri në vitin 1939, Rrahmani punoi në Selenicë të Vlorës.
Në prag të pushtimit fashist të 7 prillit 1939 me vëllanë Selimin kushëririn Baftjarin bashkë me popullin e Selenicës zbritën në Vlorë për të kërkuar armë për të mbrojtur vendin nga pushtimi fashist. Të zhgënjyer e dëshpëruar nga qëndrimi i mbretit dhe qeverisë, që nuk e armatosën e organizuan popullin për luftë kundër fashizmit, u kthyen në Selenicë. Në nëntor 1939, hapën një lokal pasticeri në qytetin e Vlorës.
Në protestën e zhvilluar më 28 nëntor 1941 kundër pushtuesve iu dha rasti që në kulmin e entuziazmit të protestuesve të dalë në krye për të mbajtur flamurin kombëtar që përpiqeshin ta rrëmbenin fashistët, aty mori një goditje në kokë. Pas kësaj dite përfshihet në njësitet guerile të qytetit, fillimisht guerilas i thjeshtë, pastaj përgjegjës grupi e njësiti dhe me pranimin si anëtar i Partisë Komuniste.
Me 6 janar 1943 u caktua komandant i njësiteve guerile të qytetit të Vlorës deri më 28 nëntor 1943, kur e transferuan me detyrë komisar batalioni. Pas rezultateve të mira në drejtimin e batalionit në luftimet kundër forcave naziste dhe ruajtjen e kompaktësisë të efektivit gjatë Operacionit armik të Dimrit 1943-1944, emërohet zëvendëskomisar i Brigadës së 8-të, e përuruar më 26 prill 1944 në Sheper të Gjirokastrës. Gjatë muajit maj u mor me organizimin e Brigadës së 12-të Sulmuese dhe mbrojtjen e Kongresit të Përmetit. Më 8 qershor 1944 transferohet në Brigadën e 3-të Sulmuese dhe së bashku me anëtarët e shtabit që drejtonin këtë njësi përballoi me sukses Operacionin e qershorit të ushtrisë naziste. Pas këtij operacioni me urdhër të Shtabit të Përgjithshëm, brigada kalon në Shqipërinë e Mesme, me detyrë të spastrojë nga armiqtë zonat malore të Elbasanit e Tiranës e të sigurojë nga shpina forcat e Divizionit të 1-rë, që vepronin në Mat e Dibër dhe të mbronte bazën e Bizës, ku hidhnin materiale avionët aleatë. Në fillim të shtatorit, brigada me urdhër të Komandës së Përgjithshme mori për detyrë që së bashku me Brigadën e 5-të të kalonin në Kosovë për të shpejtuar çlirimin e kësaj zone e të ndihmonin në ngritjen e Këshillave Naconalçlirimtare si organe të pushtetit të ardhshëm për përfshirjen në masë të kosovarëve në luftë për t´ju bashkuar frontit antifashist të popujve dhe të dëmtonin e pengonin forcat gjermane në tërheqje.
Me çlirimin e Kosovës, më 22 nëntor, në qytetin e Pejës merr urdhrin e emërimit komandant i Divizionit të 5-të dhe u gradua kolonel. Nga 20 dhjetori i vitit 1944 deri në mars të vitit 1945, forcat e komanduara nga Parllaku në bashkëveprim me forcat jugosllave çliruan krahinën e Sanxhakut. Me ndërprerjen e luftimeve, forcat e Divizionit të 5-të e të 6-të Sulmues u kthyen në Kosovë. Më 14 prill të vitit 1945, kur ndodhej në Mitrovicë, ai mori urdhrin e emërimit komisar i Korparmatës së 2-të në Berat. Me shkrirjen e saj e nxorën në lirim dhe e caktuan sekretar politik i Komitetit Qarkor të PK të Shkodrës. Me kërkesën e tij rikthehet në ushtri në detyrën e drejtorit të Personelit në Ministrinë e Mbrojtjes. Në vitin 1947 i jepet grada kolonel.
Në dhjetor të vitit 1947, Parllaku u caktua në detyrën e drejtorit Politik të Ushtrisë, detyrë të cilën e kreu deri në prill të vitit 1948, kur u dërgua të studionte jashtë shtetit. Parllaku ka mbaruar studimet në Akademinë e Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë sovjetike “Voroshillov”. Pas kthimit nga studimet, ai u emërua drejtor i Drejtorisë së Organizim-Mobilizimit në Ministrinë e Mbrojtjes. Në vitin 1952-1954 caktohet në postin e zëvendësministrit të Mbrojtjes e drejtor i Prapavijës së Ushtrisë dhe mori gradën e lartë të gjeneral-majorit. Gjatë viteve 1954-1961 do të shërbente si zëvendësministër i Mbrojtjes për përgatitjen luftarake të ushtrisë.
Nga viti 1961 deri në vitin 1967 kreu detyrën e komandantit të Forcave Ushtarako-Detare dhe më pas komisar i këtyre forcave dhe iu dha grada gjeneral-leitnant. Në vitet 1969-1970 do të shërbente si komisar i Forcave Ushtarako-Ajrore dhe një vit më vonë u emërua zëvendësministër për Përgatitjen Luftarake të Ushtrisë. Për merita të veçanta i është dhënë titulli “Hero i Popullit” dhe është dekoruar me 9 urdhra e tri medalje të luftës dhe 3 urdhra të shërbimit ushtarak. Parllaku, ka qenë zgjedhur deputet i Kukësit në Kuvendin Popullor për 7 legjislatura rresht, që nga viti 1945 deri në vitin 1973. Gjeneral Parllaku ka qenë kandidat i KQ të PKSH që nga tetori i vitit 1944 deri në Kongresin e Parë.
Në kongresin e Katërt rizgjidhet përsëri kandidat i KQ të PPSH dhe në Kongreset e Pestë e të Gjashtë anëtar i këtij Komiteti. Parllaku u arrestua dhe dënua për pjesëmarrje në të ashtuquajturin “puç ushtarak”, nën akuzën e “krimit dhe tradhtisë ndaj atdheut, sabotimit dhe agjitacionit dhe propagandës me rrezikshmëri të lartë”. Në bazë të këtyre akuzave u dënua me 25 vjet heqje lirie, nga të cilat 16 vjet e tri muaj i vuajti në burg (nga dhjetori i vitit 1974 deri më 17 mars të vitit 1991), si pjesëtar i të ashtuquajturit “grup i Beqir Ballukut”. Duke pasur akuzën e rëndë të “tradhtisë ndaj atdheut”, të ashtuquajturit pjesëtarë të këtij grupi: Beqir Balluku, Petrit Dume, Hito Çako e Rrahman Parllaku nuk amnistoheshin nga ligjet në fuqi. Në rekursin e bërë nga Parllaku, Gjykata e Kasacionit vendosi, më 20 korrik të vitit 1994, prishjen e vendimit të 5 nëntorit të vitit 1975 të Gjykatës Ushtarake, që i cilësoi fajtorë ushtarakët e lartë, dhe pushimin e akuzave të mësipërme. Ai është kryetar i Organizatës së Bashkuar të Veteranëve të Luftës të Popullit Shqiptar.
(d.xh/Balkanweb)