DURRËS

Tre persona kanë mbetur të plagosur në atentatin në Durrës, mes tyre dhe prokurori i shumëpërfolur Arjan Ndoj.

Ndërkaq gazetarja Klodjana Haxhiaj zbuloi për “BalkanWeb” se në makinë me prokurorin Ndoj udhëtonte edhe një person me precedentë penalë, i njohur për policinë, i cili gjithashtu ka mbetur i plagosur. Bëhet fjalë për Pëllumb Muharremin, i cili u akuzua 3 vite më parë për dhunimin e biznesmentit amerikano-libanez Faadi Mitri, për çështje pronash në Gjirin e Lalzit.

Por në informacionin e siguruar nga gazetarja Klodiana Lala, emrat janë Aleksander Laho, Andi Maloku dhe prokurori Arjan Ndoj. Për Lahon thuhet se është shtetasi Pëllumb Muharremi që dyshohet se lëvizte me një identitet tjetër. Andi Maloku që dyshohet se ka qenë shofer i makinës është në gjendje më të rëndë shëndetësore.

Shoferi, prokurori dhe i dyshuari Pëllumb Muharremi kanë qenë duke udhëtuar nga Durrësi për në Tiranë. Tek mbikalimi i Shkozetit janë qëlluar nga një automjet tjetër tip “Benz”, duke u plagosur të tre. Ndërkohë prokurori dhe një prej të plagosurve ndodhen në spitalin e Durrësit jashtë rrezikut për jetën, ndërsa i treti është nisur drejt Tiranës për mjekim të specializuar.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb