Rudina Xhunga e ftuar sot në edicionin e lajmeve në News 24, u pyet për debatin në kuadër të festimeve për 75-vjetorin e Çlirimit të Shqipërisë dhe vendosjen e fotove të heronjve në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.
“U ndjeva mirë kur i pashë ato foto dhe përgëzoj organizatorët e një nisme kaq pozitive. Por mendoj se nuk duhet të jetë vetëm simbolike. Do të duhej të kishte një moment, kur në Bulevard të ndalohen makinat dhe sheshin t’u lihet këmbësoreve, sidomos fëmijëve dhe të rinjve për të parë e njohur emër për emër, cila është Margarita Tutulani, cili është Qemal Stafa.
Ata mbase mendojnë se Qemal Stafa është krijim i kinematografisë shqiptare. Apo Margarita Tutulani është një vajzë, sërish e krijuar nga Kinostudio “Shqipëria e Re”. Edhe e drejtë. Kanë qenë vite të tëra, të tejmbushura me propagandë, dhe pastaj njerëzit kanë bërë të kundërtën, duke mos besuar më.Mua, për Margaritën një 20-vjeçare, e cila u vra prej të njëjtit plumb që vrau vëllanë, Kristaq Tutulanin, më tregoi motra e tyre, Aferdita Tutulani.
I morën nga burgu dhe i ndaluan në Gosë të Kavajës, i nxorën jashtë dhe qëlluan mbi Kristaqin. E motra Margarita, 20-vjeçarja Margarita, u sul ta përqafonte, apo mbronte dhe vdiq nga i njëjti plumb.
Afërdita Tutulani, motra e tyre, më tregoi në emision, se ajo ishte e vogël, kur i takoi për herë të fundit. Por nuk harroi kurrë, fytyrën engjëllore të motrës pas hekurave të burgut, ditën kur e pa për herë të fundit.
Mbase po t’i tregojmë fëmijëve për Margaritën dhe Kristaqin, e të tjerë djem dhe vajza idealistë, që dhanë jetën për atdheun, që e deshën atdheun dhe nuk e vodhën a plaçkiten, mbase do t’ia kursejmë vetes ca orë debati për Rrumin, Rrajën e ku di unë, ca shumë personazhe si këta, që janë futur me përdhunë në jetën tonë.
Se nuk janë të gjithë kaq pis e kaq zi. Se nuk i kanë vjedhur të gjithë pronat në këtë vend. Se ka pasur në këtë vend edhe njerëz idealiste, njerëz që e kanë dashur Shqipërinë dhe kanë dhënë jetën për të.”,- tha gazetarja.
Ola Bruko: Pse ende ka debat për këtë çështje në ditët e sotme? Pse nuk ndodh kjo në vendet e tjera?
Rudina Xhunga: Sepse ne jemi ende një vend i pazhvilluar që e mban veten lidhur në debate që u ka ikur koha. Të tipit: a ka mes tyre kriminelë apo nuk ka? Ata njerëzit që e kanë në shesh portretin, dhanë jetën për Shqipërinë, për Shqipërinë antifashiste, që u bashkua me frontin e së mirës, që e mundi të keqen. E ka mbyllur bota këtë debat. Ne të fundit. Si gjithmonë.
Kam qenë në Borovë, ku vdiqën 107 veta. Unë shkova dhe bëra një emision në varrezat e Borovës. Intervistova historianë dhe doja patjetër një njeri të asaj kohe. Gjeta një burrë që po qante te një varr. E pyeta kë qan. Më tha: “Babanë! Isha 8-muajsh kur e vranë, babai im ishte me partizanët më tha, morën 10 burra, të parët dhe i pushkatuan. Mua nëna më mbrojti, se më fshehu. Shpëtova, jetova, po qaj, edhe pse tani jam gjysh, se nuk pata kurrë një fotografi të babait tim. Nuk e imagjinoj dot, si ishte babai im.”
Si babai i atij njeriu, vranë 106 të tjerë, mes tyre dhe priftin e fshatit. I vranë në kishë, i dogjën, i therën fëmijët. Ndodhi një masakër. Tani ju që shkoni në Korçë, dreqi e mori, lakrorë shkoni e hani, vetëm. Nuk ndaloni ndonjëherë në ato fshatra dhe të shikoni me sytë tuaj, historinë?
Të kuptoni që është bërë luftë, që i kanë vrarë shqiptarët, që kanë qenë pjesë e luftës, pjesë e të mirës, pjesë e fitimtarëve. Ambasadori gjerman, në atë kohë, Hofman shkoi në Borovë, i premtoi muzeun, dhe nuk hodhi ide absurde, se mos nuk kanë qenë gjermanët që ju kanë vrarë, se mos keni vrarë njëri-tjetrin.
Dua të them në botë ky debat është mbyllur. Është mbyllur. Lufta antifashiste ishte lufta që solli çlirimin nga fashizmi, që na bëri bashkë me fitimtaret në anën e duhur.
Do të ketë shumë debate këto kohë,derisa të mbarojë nëntori. Njerëzit janë të ndarë në llogore, edhe 75 vjet me pas se gjaku nuk bëhet ujë. Unë kam pasur të ftuar, kohe më parë në studio, në një debat të pazakontë për Luftën, Pëllumb Xhufin dhe Uran Butkën. Fëmija historian i një partizani dhe fëmija historian i një ballisti. I pyeta për prindërit. U krijua një moment emocional, se në fund të fundit, përtej historisë flisnin për baballarët e tyre. Dhe çfarëdo ta kesh pasur babanë, ti e do babanë tënd, të kaluarën tënde. Nuk dalim dot nga llogoret, është një brez i ideoligjizuar. Edhe brezi im, serish është indoktrinuar, do të jenë fëmijët tanë që do të flasin, pyesin dhe tregojnë pa komplekse, madje jo vetëm nuk do të lejojnë t’i përdorë historia, po do e përdorin atë, duke e aktualizuar atë. Unë besoj se shumë nga monumentet e luftës, lapidare, etj mund të kthehen në shërbim të turizmit, sepse ku ka pasur luftë, ka një histori për të treguar. Nga kisha e Zahos në Vuno, te vendi i harruar i Konferencës së Mukjes apo Kulla e Bujanit, ku mund të bashkohen të rinj e të reja nga Gjakova, deri te Vlora, si dikur kur u takuan bashkë në Bujan. Tani jo më për të shpëtuar nga copëtimi, por nga shpopullimi. Ka gjithmonë një vend ku mund të bëhemi bashkë dhe të gjejmë çfarë na bashkon me Kosovën.
Nëse në Shqipëri do të kishte më shumë debate për mënyrën sesi mund ta përdorim historinë, nuk do të kishte mundësi që historia të na përdorte ne, në debate shterpë për gjermanin e fundit.