Duke nisur nga kryeqyteti, Prishtina e më pas Mitrovica, Gjakova, Peja, Malisheva etj, e gjithë Kosova feston fitoren e Shqipërisë dhe kualifikimin e saj për në Europian. Qindra qytetarë janë tubuar në anën jugore të qytetit të Mitrovicës pranë urës së Ibrit, duke brohoritur “Shqipëri etnike”, “Mitrovica është e jona”. Forca të rrepta kanë formuar kordon në hyrje të urës për të parandaluar ndonjë konflikt të mundshëm me serbët e anës tjetër veriore. Por edhe në Shkup, shqiptarët po festojnë me tupanë, këngë e valle, ashtu si edhe në Mal të Zi.
Nje vend të madh i kanë kushtuar mediat kosovare fitores historike që arriten futbollistet shqiptare sonte ne Armeni.
“I erdhi fundi pritjes, ‘Shqiponjat’ fluturojnë për në Francë. Ëndrra e madhe e gjithë shqiptarëve është realizuar, pasi Kombëtarja shqiptare ka siguruar kualifikimin për në Kampionatin Evropian ‘Francë 2016’, pas fitores së thellë 3-0 në udhëtim te Armenia”, shkruan Telegrafi.
MUSTAFA: KRENARË ME LOJËN E FUTBOLLISTËVE KOSOVARË
Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa ka përshëndetur Kombëtaren shqiptare për fitoren në Armeni, duke theksuar se një meritë të veçantë kanë futbollistët kosovarë. “Urime kombëtares së Shqipërisë dhe të gjithë shqiptarëve anë e kënd! Ishte ky një moment i shumëpritur dhe tani një kualifikim meritor për në Franca 2016. Për këtë u punua shumë, dhe një kontribut të spikatur e dhanë edhe futbollistët kosovarë, me lojën e të cilëve ndjehemi krenar të gjithë shqiptarët.
Dekadat e ardhshme në sport do të jenë padiskutueshëm në favorin tonë, sepse tani edhe Kosova po depërton fuqishëm në skenën sportive ndërkombëtare dhe ne zotohemi se përkrahja institucionale nuk do t’u mungojë asnjëherë për sukseset e tyre të mëtejme”, shkruan Mustafa.
THAÇI URON RAMËN: UROJ QË KOMBËTARJA SHQIPTARE TË VAZHDOJË ME PARAQITJE DINJITOZE NË EURO 2016
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi ka uruar kryeministrin Edi Rama menjëherë pas fitores së Shqipërisë. Ai ka uruar që Kombëtarja shqiptare të vazhdojë me paraqitje dinjitoze edhe në Euro2016.
“Sapo telefonova kryeministrin Edi Rama dhe e përgëzova për suksesin historik të kombëtares kuq e zi. Urova që kombëtarja shqiptare të vazhdojë me paraqitje dinjitoze edhe në Evropianin 2016 në Francë, ku ajo pa dyshim do të ketë mbështetje të fortë edhe nga tifozët e zjarrtë shqiptarë në diasporë”, shkruan Thaçi.
AHMETI KA GATI ‘ÇELËSIN E PRISHTINËS’ PËR DE BIASSIN
Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, nuk ka mundur të mos e shprehë gëzimin për kualifikimin e Shqipërisë në Kampionatin Evropian.
Në një postim në rrjetet sociale ai ka shprehur një falënderim të veçantë për trajnerin Gianni de Biasi për këtë arritje.
“Po, ia dolëm. Nga sheshi në emër të komunës së Prishtinës, faleminderit Kombëtares për gëzimin që ia dhuroi sonte Prishtinës e krejt kombit. Një falënderim i veçantë për njeriun më meritor De Biassi. E meriton çelësin e qytetit. O sa mirë”, shkruan në postimin e Ahmetit.
HARADINAJ URON KOMBËTAREN: URIME SHQIPËRIA IME!
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka uruar lojtarët e kombëtares shqiptare, pas kualifikimit historik për në Kampionatin Europian Franca 2016.
“Sonte, lajmin më të gëzueshëm në historinë e futbollit, për të gjithë shqiptaret kudo qe janë, na e dhuruan djelmoshat e Kombëtares. Një fitore e merituar dhe një triumf i shumëpritur edhe në sport – Bravo. Fitorja e Kombëtares na gëzoi dhe na bëri të ndihemi krenarë të gjithëve”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.
LIMAJ: TANI ECIM DREJT FRANCËS
Lideri i NISMA-s për Kosovën i ka uruar lojtarët e kombëtares dhe gjithë shqiptarët për fitoren kundër Armenisë, e cila ia siguroi Shqipërisë kualifikimin për në kampionatin europian të futbollit Euro 2016. “Unë besova që secili shqiptar frymoi Kuq e Zi edhe sonte. Kjo është edhe një dëshmi më shumë, që ne shqiptarët kemi aftësi të jemi të bashkuar edhe pas dëshpërimeve që gjithsesi janë veç momentale. Këtë energji e ndjen edhe djemtë në fushë, sepse e kishin përkrahjen e gjithë kombit Shqiptar anembanë botës. Me gjithë atë përgjegjësi mbi supe, djemtë treguan shumë atdhe-dashuri, maturi, profesionalizëm dhe më së shumti Shqiptari. Se i tillë është çdo shqiptarë. Tani ecim drejt Francës”, ka shkruar Limaj ne FB.
ALI AHMETI: NUK KA MË MIRË NË KËTË BOTË SE SA TË JESH SHQIPTAR
Nuk ndalojnë urimet nga qytetarët dhe personalitetet e njohura në Maqedoni. Para pak minutave ka uruar Ali Ahmeti duke thënë “Nuk ka më mirë në këtë botë se sa të jesh shqiptar. Francës po i vjen flamuri më i bukur në botë”.
(m.k/BalkanWeb)