TIRANE
Në sfidë të hapur me verdiktin e shkallës së dytë të vettingut, Besnik Muci u paraqit mëngjesin e së premtes në zyrën e tij të anëtarit të Gjykatës Kushtetuese. Ai këmbëngul sërish se nuk do ta njohë, vendimin e kolegjit të Apelimit për shkarkimin nga detyra, pasi e konsideron antikushtetues. Ndërsa ka vendosur të vërë në lëvizje gjykatën Kushtetuese, duke kërkuar prej saj të shqyrtojë rastin e tij dhe të vendosë për përfundimin ose jo të mandatit. Deri atëherë deklaron se asgjë se pengon të ushtrojë kompetencat kushtetuese e ligjore.
Ish-kandidati për në Prokurorinë e Posaçme, akuzon Kolegjin e Apelimit se e vetoi në kundërshtim me ligjin, përderisa ai e ka humbur statusin e magjistratit, në momentin kur u betua para presidentit si anëtar i Kushtetueses.
“Statusi im i Prokurorit rezulton se ka përfunduar që prej datës 18 tetor 2019, moment ky kur unë kam filluar të ushtroj detyrën e gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese. Me përfundimin e këtij statusi, procesi i rivlerësimit, nuk mund të vazhdonte dhe vendimi i Kolegjit të Apelimit nuk mund të ketë efekt ndaj funksionit dhe mandatit aktual të Gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese”.
Për ish prokurorin e Krimeve të Rënda, vendimi i Kolegjit s’mund të ketë efekt mbi funksionin e tij të ri, përderisa është emëruar tri vite pas hyrjes në fuqi të ligjit për funksionimin e gjykatës Kushtetuese.
“Shtrirja e efekteve të vendimit të Kolegjit automatikisht mbi funksionin e Anëtarit të Gjykatës Kushtetuese, duke vendosur shkarkimin, është jo vetëm i paargumentuar dhe pa referencë ligjore por është në kundërshtim me nenin 127/2 të Kushtetutës. Po ashtu nuk rezulton që në ngarkimin tim të ketë ndonjë proces disiplinor për të cilin Kolegji i Posaçëm i Apelimit ka juridiksion”.
Në mbyllje të letrës drejtuar mediave, Besnik Muci shprehet se njeh gjykatën kushtetuese, si të vetmin institucion që mund të vendosë për fatin e tij.
“Në këto kushte i kam kërkuar Kryetares së Gjykatës Kushtetuese, që në bazë të ligjit të iniciojë procedurën e verifikimit të mbarimit të mandatit tim si anëtar i Gjykatës Kushtetuese dhe marrjen e këtij vendimi nga Gjykata Kushtetuese…Nëse verifikohen nga ana e Gjykatës Kushtetuese kushtet e mbarimit të mandatit tim si gjyqtar…Pavarësisht sa më sipër, me qëllim për të ruajtur integritetin tim dhe të Gjykatës Kushtetuese, lidhur me çështjen administrative të ushtrimit të detyrës, jam në pritje të njoftimit të vendimit, në një afat sa më të shpejtë të mundur. Deri atëherë ju njoftoj se do të përmbush të gjitha detyrimet e mia kushtetuese dhe ligjore”.
Ish-kandidati për postin e kryeprokurorit të përkohshëm u shkarkua nga detyra për problemet me pasurinë dhe figurën morale. Sipas verdiktit të shkallës së dytë të vettingut, ai duhet të ndërpresë menjëherë ushtrimin e funksioneve, ndërsa për 15 vitet e ardhshme smund të jetë pjesë e sistemit të drejtësisë.
LETRA E PLOTË:
Më datën 21.11.2019 më është njoftuar vendimi, me arsyetim të përmbledhur vendimi Nr. 32, datë
21.11.2019 i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit me objekt shqyrtimin e vendimit nr. 58, datë
01.08.2018 të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit. Ky vendim është dërguar zyrtarisht dhe në
Gjykatën Kushtetuese.
Në pjesën urdhëruese Kolegji është shprehur:
“Ndryshimin e vendimit nr. 58, datë 01.08.2019 të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe
shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit Besnik Muçi, Prokuror në momentin e fillimit të
procesit të rivlerësimit, gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese, në momentin e shpalljes së këtij vendimi.
Ky vendim është përfundimtar dhe ka efekt të menjëhershëm”.
Konstatoj që pjesa urdhëruese e këtij vendimi lidhur me shkarkimit nga detyra si anëtar i Gjykatës
Kushtetuese nuk është e mbështetur në asnjë referencë ligjore ose kushtetuese.
Nga viti 2008 deri më datë 18 tetor 2019 kam mbajtur detyrën e Prokurorit pranë Gjykatës së
Shkallës për Krimet e Rënda.
Më datë 15.11.2019 jam dekretuar Gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese dhe kam bërë betimin para
Presidentit të Republikës më datë 18.11.2019.
Bazuar në nenin 130 të Kushtetutës, i cili parashikon se:“Qenia si gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese
nuk pajtohet me asnjë veprimtari tjetër…shtetërore…” , dhe në nenin 64/b të Ligjit Nr. 96/2016
“Për statusin e Gjyqtarëve dhe Prokurorëve në Republikën e Shqipërisë” përcaktohet se: “Statusi
i magjistratit mbaron në rastet kur: b) vërtetohen kushtet e pazgjedhshmërisë dhe të
papajtueshmërisë në ushtrimin e funksionit…” statusi im i Prokurorit rezulton se ka përfunduar që
prej datës 18 tetor 2019, moment ky kur unë kam filluar të ushtroj detyrën e gjyqtarit të Gjykatës
Kushtetuese.
Emërimi im në Gjykatën Kushtetuese është bërë në 15 tetor 2019, pra 3-vjet pas hyrjes në fuqi të
ligjit nr. 76 të vitit 2016 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 8417 datë 21/10/2008,
Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë” i ndryshuar”.
Për pasojë sipas nenit 179/b, pika 3 të Kushtetutës unë nuk përfshihem si subjekt i rivlerësimit ex
officio për shkak të funksionit të Gjyqtarit në Gjykatën Kushtetuese, pasi këtë funksion unë nuk e
kam pasur në momentin e hyrjes në fuqi të Ligjit nr. 76 të vitit 2016.
Procesi i rivlerësimit tim ka filluar ex officio për shkak të funksionit të Prokurorit që unë kam
mbajtur deri më datë 18 tetor 2019. Me përfundimin e këtij statusi, sikurse parashtrova më sipër,
objekti për të cilin ka filluar procedura e rivlerësimit apo qëllimi i këtij procesi është bërë i
pamundur.
2
Në këto kushte procesi i rivlerësimit i nisur ex-officio në statusin dhe për funksionin e Prokurorit,
nuk mund të vazhdonte dhe vendimi i Kolegjit të Apelimit nuk mund të ketë efekt ndaj funksionit
dhe mandatit aktual të Gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese.
Shtrirja e efekteve të vendimit të Kolegjit automatikisht mbi funksionin e Anëtarit të Gjykatës
Kushtetuese, duke vendosur shkarkimin, është jo vetëm i paargumentuar dhe pa referencë ligjore
por është në kundërshtim me nenin 127/2 të Kushtetutës.
Po ashtu nuk rezulton që në ngarkimin tim të ketë ndonjë proces disiplinor për të cilin sipas nenit
128 e 179/7 të Kushtetutës Kolegji i Posaçëm i Apelimit ka juridiksion.
Në këto kushte i kam kërkuar Kryetares së Gjykatës Kushtetuese, që në bazë të nenit 127 të
Kushtetutës dhe nenit 9.2 të ligjit nr. 8577, datë 10.02.2000 “ Për organizimin dhe
funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë” të inicioni procedurën e
verifikimit të mbarimit të mandatit tim si anëtar i Gjykatës Kushtetuese dhe marrjen e
këtij vendimi nga Gjykata Kushtetuese në zbatim të nenit 127.2 të Kushtetutës së Republikës
së Shqipërisë nëse verifikohen nga ana e Gjykatës Kushtetuese kushtet e mbarimit të
mandatit tim si gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese të parashikuara në nenin 127 të Kushtetutës
dhe nenin 9 të ligjit Nr. 8577, datë 10.02.2000 “ “ Për organizimin dhe funksionimin e
Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”.
Pavarësisht sa më sipër, me qëllim për të ruajtur integritetin tim dhe të Gjykatës Kushtetuese të
Republikës së Shqipërisë, lidhur me çështjen administrative të ushtrimit të detyrës, jam në pritje
të njoftimit të vendimit të Gjykatës Kushtetuese për deklarimin ose jo të mbarimit të mandatit tim
si Gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese në përmbushje të detyrimeve të nenit 127 të Kushtetutës dhe
nenit 9 të ligjit Nr. 8577, datë 10.02.2000 në një afat sa më të shpejtë të mundur.
Deri në marrjen e këtij vendimi, ju njoftoj se do të përmbush të gjitha detyrimet e mia kushtetuese
dhe ligjore.
Ju faleminderit.
Tiranë më 22/11/2019
Besnik Muçi
Anëtar i Gjykatës Kushtetuese
(BalkanWeb)