Në Hot të Malësisë së Madhe është përkujtuar 100 vjetori i masakrës së Hotit ku të paktën 72 persona janë vrarë nga ushtria serbo mallazese në vitin 1919. I pranishëm si një nga familjarët e njërit prej të vrarëve në ketë masakër ishte edhe prokurori shqiptaro amerikan Gion Junçaj i cili ishte në Shqipëri si i dërguar i SHBA në procesin e reformës në drejtësi. Prokurori Junçaj tha për masakrën e Hotit se koha e heshtjes ka përfunduar dhe se pas 100 vitesh është momenti për ti dhënë nderimin e fundit atyre që u vranë padrejtësisht nga ushtria serbo malazeze.
“Jam një pasardhës i një prej atyre që ne jemi sot këtu për t’i nderuar. 100 vite më parë dhjetra burra nga Hoti u ekzekutuan në një mal këtu afër Kushës. Këta burra nuk ishin yshtar në kohën e luftës por ishin thjeshtë djemtë e nënave, baballarët e fëmijëve, malësor shqiptar. Nuk kishte asnjë proces ligjor ose drejtësi përpara se të merrnin frymën e tyre të fundit. Siç ishte për gjyshin tim, vëllezërit dhe motrat e tij nuk kishte përqafim të fundit për fëmijët e tyre. Nuk kishte as varrosje që ata e meritonin. Për 100 vjet kishte vetëm heshtje. Heshtje dhe vuajtje për familjet e tyre. Sot heshtja mbaron, sot stërgjyshi im dhe këta burra të Malësisë e marrin respektin e fundit që meritojnë. Edhe pse ata u zhdukën fizikisht emrat dhe kujtesa e tyre do të jetojë përgjithmonë”, tha prokurori Junçaj.
I pranishëm në këtë ceremoni ishte edhe përfaqësuesi i komunës shqiptare në Malin e Zi, Nikollë Camaj, i cili u shpreh se është koha që Serbia të kërkojë falje ndaj masakrës së Hotit por edhe shumë veprimeve të tjera të padrejta të serbëve ndaj shqiptarëve. Në këtë 100 vjetor u përurua një memorial për të vrarët në masakrën e Hotit ndërsa më herët u kremtua edhe mesha e shenjtë në kishën e Hotit nga famullitari Ardjan Arra.
(BalkanWeb)