Taulant Balla ka reaguar pas kthimit të Paketës Anti- Shpifje të Presidentit Meta në Kuvend. Ne nje deklarate per mediat Balla tha se Kreu i Shtetit iu bind urdhrit të Lulzim Bashës dhe se dekreti i tij do të rrëzohet sa më shpejt në Kuvend.

” Unë e kam bërë komentin për këtë çështje qysh në seancë plenare, kur ky hap i rëndësishëm që Shqipëria hodhi për të luftuar dezinformimin si një kërcënim për cilësinë e demokracisë jo vetëm në Shqipëri, po kudo në botën demkratike, se presidenti Ilir Meta pas urdhërit të Lulzim Bashës do të kthente mbrapsh përmes një dekreti dy ligjet komponentë të kësaj pakete të parë të betejës me shpifjen.

Edhe në të ardhmen, legjislacioni shqiptar duhet të përmirësohet sa më shumë për të garantuar fitoren e së vërtetës ndaj shpifjes.

Dua të ritheksoj se përmirësimet ligjore janë certifikuar tërësisht nga partneri i rëndësishëm OSBE edhe në kuadër të faktit historik tashmë që shqipëria ka nderin të drejtojë këtë organizatë që mban në vetvete më shumë se 1 miliard qytetarë dhe më shumë se 57 vende.

Më 20 janar dekretet i njoftohen Kuvendit, dhe në seancën më të parë dekretet e z. Meta do të rrëzohen.”- tha Balla.

Presidenti Meta i ktheu dje Kuvendit Paketën- Antishpifje duke i kërkuar që ta rishikonte pasi kishte konstatuar 4 shkelje të rënda, ndër të cilat tek e drejta themelore e lirisë së fjalës.

“Nga studimi i thelluar dhe krahasues i ligjit të miratuar në tërësi, konstatohet se disa dispozita të tij dhe konkretisht nenet 14, 15, 29, 30, jo vetëm që nuk janë në harmoni, por bien në kundërshtim me: Parimet themelore kushtetuese të ndërtimit të një shteti demokratik, sigurisë juridike dhe të proporcionalitetit;
Dispozitat kushtetuese që mbrojnë të drejtën e lirisë së shprehjes, të lirisë së shtypit dhe të drejtës së informimit;

Jurisprudencën e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë, vendimet e së cilës përbëjnë norma të detyrueshme për zbatim; Nuk janë në harmoni me standardet e Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut”.- theksonte Presidenti Meta në dekret.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb