TIRANË

Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste Taulant Balla deklaron se depolitizimi i komisioneve zgjedhore dhe administrimi i zgjedhjeve nga një trupë apartiake është thelbi i reformës zgjedhore.

I ftuar në “Opinion” në News24, Balla foli për marrëveshjen mes palëve që uli në tryezë maxhorancën e opozitën.
“Së pari duhet të kuptojmë që është për të ardhur keq që u humb pothuajse një vit kohë e vyer për të reflektuar opozita jashtë parlamentare sepse kjo mund të kishte ndodhur fare mirë dhe para 1 viti. Kam qenë në studion tuaj në dhjetor të vitit të 2018 kur kam thënë që qëndrimi i PS për reformën zgjedhore është që të gjithë rekomandimet e OSBE/ODIHR të përkthehen në amendamente të kodit zgjedhor. Madje që ishim të gatshëm që opozitës t’i jepnim një letër të bardhë. Për fat të mirë kemi ardhur sot në një kuadër të përmirësuar. Në vitin 2017 si rrallëherë kemi ngritur komisionin e posaçëm. Në vitin 2019 me krijimin e një situatë të pakuptimtë për shkak të largimit të një pjese të deputetëve të PD e LSI u amendua vendimi, duke i garantuar opozitës një vend bosh edhe ekstraparlamentar në komisionin e posaçëm që opozita jashtëparlamentare të ketë të drejtë të kontribuojë e madje të vendosë dhe veton.
Jemi në një kuadër që ka qenë çdo ditë të vitit të kaluar por në një moment të ri politik. Gjej rastin ta përgëzoj opozitën. Kemi një moment të cilin duhet ta shfrytëzojmë, koha e përcaktuar është 15 marsi dhe ky afat ku ne duhet të kemi miratuar fazën e parë të reformës zgjedhore që lidhet me transpozimin e të gjitha rekomandimeve të OSBE/ODIHR në amendamente të kodit”, tha Balla, duke shtuar se me rëndësi është edhe ndryshimi i ligjit për financimin e partive politike.

I pyetur nëse ka pasur negociata para arritjes së kësaj marrëveshjeje, Balla tha se PS dhe maxhoranca ka pasur përherë disponibilitetin për t’u ulur me opozitën.
“Për këtë pyesni opozitën. PS ka pasur dhe ka në mënyrë të vijueshme disponibilitetin për t’u ulur kurdoherë me opozitën. Edhe para zgjedhjeve të 30 qershorit edhe më pas kryeministri ka shprehur disponibilitetin të ulemi. 15 marsi ka shumë kuptime.
Nuk është e rëndësishme për shqiptarët se si u arrit marrëveshja por thelbi. Jemi shumë pranë, një hapi shumë vital për të hequr dorë nga sistemi i vjetër i mënyrës së administrimit të zgjedhjeve. Themeli i kësaj reforme është depolitizimi i komisioneve zgjedhore. KQZ nuk do të jetë më një monopol administrimi partiak. Është propozim i ekspertëve.
Qëndrimi i PS prej dy vitesh është ky. Ne do të marrim të gjitha rekomandimet e OSBE/ODIHR dhe t’i kthejmë në amendime të kodit elektoral. Duhet që një trupë apartiake të merret qoftë me administrimin e qoftë me numërimin.
Nuk ka pasur një vullnet politik të theksuar. Është një çështje që besoj është e gjithëpranuar. Komisioni i posaçëm i reformës zgjedhore prej 2 vitesh ka ekspertë që kanë bërë një reformë të shkëlqyer”, deklaroi numri dy i PS-së.

Ai tha se marrëveshja ka një bosht të rëndësishëm, rakordimi primar i palëve për të mbyllur reformën deri më 15 mars. “Do të ndryshojë formula e funksionimit të KQZ. Do ndryshojë qasja në sponsporizimin në media dhe reklama televizive. Janë disa prej çështjeve. Do ndryshojë mënyra e ankimimit. Kujtoj zgjedhjet e majit 2011, procedura të zgjatura ankimore dhe thelbi humbte në procedurë.
Themeli është depolitizimi. Duke qenë se numëruesit apo komisionerët ishin të emëruar politikisht, urdhëroheshin politikisht, braktisin procesin etj.
Pse nuk ndodh kjo në një vend tjetër të BE-së? Sepse zgjedhjet nuk administrohen nga partitë”, u shpreh Balla.

Sa i përket shitblerjes së botës, kreu i grupit parlamentar të PS-së tha se ne kemi legjislacionin më të ashpër ekzistent për shitblerjen e votës. “Ka raste në disa palë zgjedhje të personave të dënuar. A kemi më shumë fenomen se sa dënime? Patjetër që po. Kjo nuk lidhet vetëm me kuadrin ligjor por edhe me efikasitetin e organeve të drejtësisë. Sot çështja më e rëndësishme është që më 15 mars ne duhet ta kemi të skontuar në detyrat e shtëpisë kodin zgjedhor”, deklaroi ai.
Balla u shpreh i bindur se mandati kushtetues i këtij Kuvendi do të shkojë deri ditën e fundit të përcaktuar nga Kushtetuta. “Edhe vetë zoti Basha ose opozita e di këtë. Sikurse nuk iu shtuam me një ditë mandatin të zgjedhurve vendorë, kështu do të respektojmë dhe mandatin e këtij Kuvendi”, tha Balla.

I pyetur se si i përgjigjet i zërave se ka një marrëveshje të fshehtë mes Ramës e Bashës për të mos ndryshuar sistemin zgjedhor, Balla tha se në aspektin e këndvështrimeve të partive të mëdha politike ky është një sistem zgjedhor që ka treguar qëndrueshmërinë e maxhorancave.

“Ajo që ka nevojë Shqipëria dhe jo vetëm. Ky është një vit shumë i rëndësishëm për Shqipërinë. Ka të bëjë dhe me situatën në të cilën gjendemi. Kemi plot 11 mijë familje që jetojnë përkohësisht në hotel, me qira apo çadra dhe është momenti që ne politikanët të bëjmë detyrën. Objektivi kryesor i Edi Ramës, macxhorancës është që brenda krishtlindjeve të vitit 2020 çdo familje duhet të ketë hyrë në shtëpi.
Nuk kam asnjë përgjigje për pyetjen tuaj sepse ne respektojmë njëlloj edhe kërkesën e opozitës parlamentare dhe kërkesat e opozitës joparlamentare. Deri më 15 mars kodi zgjedhor do të jetë minimalisht i depozituar për miratim dhe rreth asaj date kuvendi ta ketë miratuar”, theksoi Balla.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb