Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, e nisi fjalën e tij në sesionin e ri parlamentar me pasojat e tërmetit tragjik të 26 nëntorit, duke thënë se 2020-a do të mbahet mend gjatë si viti i rindërtimit.

“Teksa faza e emergjencës është mbyllur kudo, sytë janë te rindërtimi. Ne duam të nxisim qeverinë, për të përmbushur pritshmërinë e gjithë shqiptarëve për rindërtimin sa më shpejt. Ne jemi gati të ndryshojmë tërësisht legjislacionin, që ka të bëjë me rindërtimin, me kriteret sizmike. Në fund të vitit, Kuvendi miratoi një sërë aktesh të lidhura me trajtimin e familjeve të prekura, pensione të veçanta, si dhe miratuam fondin më të madh për rindërtimin e banesave të reja. Ky vit i sapo nisur duhet ta bëjmë të mbahet mend gjatë si viti i rindërtimit. brenda këtij viti çdo familje jashtë qytetit duhet të ketë hyrë në shtëpinë e re. Po ashtu, deri në gjysmën e parë të vitit, duhet të jenë ngritur kantieret e lagjeve të reja”, tha Balla.

Më tej, numri dy i PS u ndal te tryeza e përbashkët politike për Reformën Zgjedhore, duke vlerësuar të gjitha palët, që pranuan të ulen më në fund në tryezën e dialogut dhe duke u shprehur se PS është e gatshme të përmbyllë këtë reformë më 15 mars.

“Nëse në fillim të vitit 2019, kishte plot skepticizëm për çuarjen para të Reformës në Drejtësi, në dhjetor të 2019 SPAK ishte në detyrë, Gjykata Kushtetuese ka numrin e mjaftueshëm për të vijuar një pjesë të punëve dhe sot ngremë edhe një tjetër institucion të rëndësishëm.

Viti 2020 ka nisur me një qasje të re të disa nga partive të opozitës. Edhe pse i vonuar, ndryshimi 180% i qasjes së opozitës, duke u kthyer në tryezën e dialogut, është padyshim një reflektim. Kuvendi, me mazhorancë dhe opozitën parlamentare, i ka krijuar një vend opozitës jashtëparlamentare në komisione. Opozita jashtëparlamentare deri më tani e kishte refuzuar komisionin e reformës. Ekspertët e komisionit kanë paraqitur deri tani gjithë amendamentet që trajtojnë çështjen dhe rekomandimet e OSBE/ODIHR.

Ritheksoj se qëndrimi ynë është përmbyllja e Reformës Zgjedhore më 15 mars 2020. Draftet e diskutuara nga të gjitha palët do të kalojnë nëpër procedurën parlamentare e më pas në seancë plenare. 15 marsi është afati i fundit. Më 14 mars iu ftoj në Elbasan për Ditën e Verës, më 15 votojmë Reformën Zgjedhore”, u shpreh kreu i grupit të PS.

Ndërkohë, në këtë seancë të parë plenare të vitit 2020, Balla vuri theksin edhe lufta ndaj krimit dhe korrupsionit, ndërsa theksoi se PS shumë shpejt do të sjellë në Kuvend një bazë ligjore për të përmirësuar luftën “anti-KÇK’.

“Përshkallëzimi i luftës kundër krimit dhe korrupsionit është i nevojshëm për ecurinë tonë të mëtejshme dhe jetik për imazhin tonë ndërkombëtar. (Kush ka kryer krime dhe është dënuar, është akuzuar nga prokuroria, po i ka shpëtuar dënimit falë aleancës me KÇK-në, është hetuar apo është nën hetim, brenda ose jashtë vendit, duhet të provojë pastërtinë e burimeve të pasurisë ose duhet ta humbasë pasurinë)”, u shpreh ai.

Fjala e Kryetarit të Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, në çeljen e sesionit të ri parlamentar:

Viti 2019 ishte një vit tejet i ngarkuar e me momente të vështira.

Për gjeneratën time apo më të rinj se ne, Tërmeti i 26 nëntorit ishte njē moment tejet tragjik e që do të na shoqërojë gjithë jetën.

51 të vdekur, rreth 1000 të plagosur, e mijëra familje që në ato sekonda që smbaronin tmerri, humbën shtëpitë e tyre.

Ditët pas tërmetit ishin ditë të solidaritetit e humanizmit, të duarve të shtrira ndaj njëri-tjetrit, të bashkimit të shqiptarëve si rrallë herë.

E teksa faza e parë e emergjencës kaloi, tani sytë, merndjet, kërkesat janë tek RINDËRTIMI.

Ne si Kuvend duhet te ndryshojme teresisht legjislacionin.

Në fund të vitit, Kuvendi i Shqipërisë miratoi një sërë aktesh të lidhura tërësisht me trajtimin e familjeve të prekura, tek pensionet e vecanta, si dhe miratuam fondin më të madh në historinë e buxhetit tonë për ndërtimin e banesave të reja.

Viti i ri 2020 që sapo ka nisur duhet ta bëjmë të tillë, që të mbahet mend gjate si viti i rindërtimit, i ringritjes pas dëmeve të shkaktuara nga tërmeti. Brenda vitit 2020, çdo familje jashtë qytetit që ka humbur banesën individuale do të hyjë në një banesë të re.

Po ashtu deri në gjysmën e parë të vitit 2020, duhet të jenë ngritur në qytetet e prekura, të gjitha kantieret e lagjeve të reja.

Reforma në Drejtësi gjatë vitit 2019:
⁃ SPAK
⁃ Gjykata Kushtetuese
⁃ Sot Inspektori i Lartë i Drejtësisë

Zonja dhe zoterinj deputetë,

Viti 2020 nisi me një qasje të re të disa prej partive të opozitës ndaj institucioneve demokratike legjitime në vend.

Edhe pse i vonuar, me shumë muaj e shumë energji të humbura kot, ndryshimi 180 gradë i qasjes së opozitës duke u rikthyer në tryezën e dialogut, është një reflektim pozitiv.

Shqipëria ka nevojë që opozita ta ketë kuptuar përfundimisht se kursi i dhunës dhe moskompromisit nuk janë zgjidhja e duhur, por e gabuar.

Kuvendi me votën e shumicës dhe të opozitës ia ka krijuar prej muajsh mundësinë opozitës jashtë parlamentare që të ketë një vend në Komisionin Parlamentar të Reformës Zgjedhore.

Përmes vendimit të Kuvendit të vitit 2019, këtij përfaqësuesi ju krijuan ligjërisht kushtet që kishte të drejta të barabarta me bashkëkryetarët nga mazhoranca dhe opozita parlamentare, përfshirë të drejtën e vetos.

Opozita jashtëparlamentare deri më tani e kishte refuzuar Komisionin Parlamentar të Reformës ashtu sikurse dhe vendin e caktuar përmes vendimit të Kuvendit.

Ekspertët e Komisionit Parlamentar të Reformës kanë paraqitur deri më tani të gjithë amendamentet që trajtojnë çështjet e rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it.

Gjithësesi, Komisioni nuk kaloi asnjë amendim në votim, me synim për ti’ krijuar të gjitha mundësitë edhe opozitës jashtëparlamentare që të gjejë një mekanizëm se si të kontribuojë e të japë konsensusin e saj për reformën.

Falë reflektimit, opozita jashtëparlamentare u ul javën e shkuar në një tryezë me bashkëkryetarët e Komisionit Parlamentar të Reformës zonjën Hajdari dhe zotin Gjiknuri dhe të pranojë të kontribuojë në punën e këtij komisioni për të përmbyllur reformën brenda 15 Marsit 2020, duke shfrytëzuar kështu hapësirën ligjore që u ishte krijuar që me Vendimin e Kuvendit të vitit 2019.

Draftet e propozuara nga ekspertët në Komision, të diskutohen edhe në tryezën politike që përfshin jo vetëm Komisionin por edhe përfaqësuesit nga opozita jashtëparlamentare PD dhe LSI.

Draftet e dakordësuara në këtë nivel do të kalojnë detyrimisht sipas rregullores dhe Kushtetutës, më tej rrugën institucionale parlamentare përmes Komisionit Parlamentar dhe Seancës.

Pra, qartësisht, si edhe në të gjitha rastet e Reformës Zgjedhore, kujtoj këtu vitin 2012, puna e Komisionit të reformës asistohet me një mekanizëm ku përthithet kontributi dhe dakordësia e çdo partie politike për një proces reforme sa më konsensuale.

I gjithë kuadri i mekanizmit të dakordësuar në marrëveshjen e javës së shkuar nuk përbën një procedurë ekstra por përforcon atë çka është e shkruar që në Vendimin e Kuvendit për ngritjen e Komisionit Parlamentar të Reformës Zgjedhore në 2017 dhe amendimin e këtij vendimi të vitit 2019 ku ju krijua hapësira ekstra për opozitën jashtëparlamentare.

15 Mars është afati i fundit!

Një ditë më parë më 14 Mars jeni të gjithë të ftuar në Elbasan, në kryeqytetin e Ditës së Verës.

Ndërsa puna për Reformën Zgjedhore duhet të vijojë e ku këshilla ime nga eksperienca, do të ishte sa më shumë punë e sa më pak lajme.

Përmbyllja e Reformës Zgjedhore është prioriteti i parë i këtij sesioni parlamentar për të gjithë ne deputetët majtas dhe djathtas.

Ndërkohë shumica jonë parlamentare do të mbështesë Kryeministrin Rama dhe qeverinë e tij në 8 prioritete kyçe deri në zgjedhjet parlamentare të qershorit 2021, e ku do t’i kërkojmë shqiptarëve besimin për një mandat të ri qeverisës.

1. RINDËRTIMI.
2. Përshkallëzimi i luftës kundër krimit dhe korrupsionit.

Këtu në Kuvend do të duhet të përmirësojmë bazën ligjore në funksion të luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

E përsa i përket të dytës ne do të mbështesim ndryshimet e nevojshme ligjore të konsultuara me partnerët tanë për t’i dhënë Policisë së Shtetit atribute të mjaftueshme ligjore për një luftë me efektivitet të lartë kundër krimit të organizuar

(Viti 2020), duhet rë mbahet mend si (viti i vënies përpara lupës së ligjit të çdo pasurie që buron nga krimi e nga trafiqet e çdo lloji). Për këtë, ne jemi gati për ofensivën më shembullore ndaj botës së krimit dhe kapedanëve të asaj bote, të cilët do t’i përballim me Forcën e Ligjit.

Përshkallëzimi i luftës kundër krimit dhe korrupsionit është i nevojshëm për ecurinë tonë të mëtejshme dhe jetik për imazhin tonë ndërkombëtar.

(Kush ka kryer krime dhe është dënuar, është akuzuar nga prokuroria, po i ka shpëtuar dënimit falë aleancës me KÇK-në, është hetuar apo është nën hetim, brenda ose jashtë vendit, duhet të provojë pastërtinë e burimeve të pasurisë ose duhet ta humbasë pasurinë).

3. Shërbime Online për qytetarët. Mbyllja e sporteleve dhe shërbime online për qytetarët brenda 2020.
4. Infrastruktura edhe Energjia
5. Regjimi i ri në vijën bregdetare
6. Mbyllja e procesit të legalizimeve
Falë ndryshimeve të mëdha ligjore që duhet të kalojmë pa humbur kohë, ne duhet të nisim të adresojmë gjatë vitit 2020, dhjetëra mijëra dosje të mbetura pezull në procesin e legalizimit të tokës a të banesës, si rezultat i bllokimeve ligjore.

Legalizimi i banesave, është një prej betejave të fituara që në fund të mandatit të parë qeverisës me 180.000 objekte të legalizuara.  Viti 2021 do të jetë viti i përfundimit të procesit 30-vjeçar të ndërtimeve pa leje. Në fund të këtij mandati, asnjë banesë shqiptare që mund të legalizohet, nuk do të ketë mbetur pa u legalizuar.

Rreth 100.000 objekte që nuk mund të legalizohen, për shkak të ndalimeve të drejta të ligjit, do të rregjistrohen në një rregjistër të veçantë në Kadastër dhe sa herë që shteti do të ketë nevojën e ndërmarrjes së projekteve të infrastrukturës, këta banorë do të dëmshpërblehen për objektin e tyre.

Viti 2020) duhet të shënohet si (viti i zgjidhjes përfundimtare të problemit të pronës për dhjetëra mijëra familje në fshat, nga Veriu në Jug, të cilat nuk e gëzojnë ende titullin e pronësisë mbi tokën si pasojë e moszbatimit të ligjit 7501), në kushtet kur ato janë kthyer në kufijtë e vjetër pa asnjë konflikt me fqinjët rreth tyre. Kanë 30 vjet që presin në tokën e stërgjyshërve dhe as e shesin dot, as aplikojnë dot për financime nga shteti ose nga institucionet financiare, sepse nuk e gëzojnë dot ligjërisht, pasi e kanë të pamundur ta regjistrojnë.

7. Pakti për Universitetin

Qeveria do të investojë për të modernizuar universitetet tona, duke nisur nga projekti madhor për Kampusin e ri në Akademinë e Arteve, apo Kampusi Universitar në zonën e Ish Qytetit Studenti.
Paralelisht, rritet mbështetja fianciare për studentët shqiptarë. Deri më sot, numri total i Studenteve që përfitojnë Përjashtim apo Redukim të Tarifës sipas kritereve të parashikuara është 88 156 studentë. Numri total i Studentëve që përfituan Bursë është 11 437 studentë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb