TIRANË

Ky është 28-vjeçari Vilson Tafçiu (Ndokaj) që u vra mbrëmjen e së hënës në zonën e Astirit në kryeqytet. Gazetarja Dorjana Bezat ka mundur të zbardhë detaje të reja nga ngjarja që tronditi Tiranën dhe ndodhi në një zonë të populluar dhe me lëvizje të shumta.

Mësohet se 28-vjeçari kishte pak kohë që ishte kthyer nga jashtë shtetit dhe mbrëmjen e kaluar po konsumonte kafe në një lokal të njohur në zonën e Astirit me dy vajza kur u nxor jashtë dhe u ekzekutua.

Duke iu referuar burimeve nga grupi hetimor, gazetarja Bezat raportoi për “BalkanWeb” se Tafçiu është qëlluar me një plumb në zemër nga një distancë e afërt dhe ka ndërruar jetë në vend.

Po kështu mësohet se është identifikuar autori i dyshuar i vrasjes, me iniciale N.D. nga pamjet e kamerave të sigurisë. Nisur dhe nga e kaluara e viktimës, policia ka arritur të identifikojë autorin që thuhet se ishte i njohur i 28-vjeçarit, ndaj dhe ai ka dalë jashtë lokalit kur është thirrur.

Tafçiu rezulton se ka shkuar në Francë më 7 mars 2018 dhe vetëm një javë më pas, më 12 mars, është arrestuar për shpërndarje të lëndëve narkotike. Autoritetet franceze e kanë dënuar me një vit burg, prej ku ka bërë 8 muaj paraburgim dhe më 6 nëntor 2018 është deportuar në Shqipëri.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb