Erion Veliaj, mund të konsiderohet pa frikë kryebashkiaku fluturues. Jemi mësuar ta shohim qytetarin e parë të Tiranës, të flasë thuajse çdo ditë në media, për pyllin orbital, duke shërbyer vakte në qendrat sociale, apo dhe duke inspektuar nga afër shkolla e kopshte. Në fakt, në jo pak nga këto raste, Veliaj nuk ka qene në Shqipëri por ka servirur në media filmime të regjistruara më parë, ndërkohë që ka qenë në avion duke fluturuar jashtë vendit.
‘News24’ bëri një vëzhgim rreth veprimtarisë së Veliajt dhe kërkoi të dhëna në sistemin TIMS, për të konfirmuar numrin e udhëtimeve te tij jashtë vendit gjatë viteve në detyrë. Referuar të dhënave zyrtare, rezulton se Veliaj renditet ne listën e zyrtarëve të lartë që pa asnjë mëdyshje mund të thuhet se më shumë ka qëndruar në ajër, sesa në zyrën e tij të punës në qendër të Tiranës. Sipas të dhënave, rezulton se vetëm në 2019 kryebashkiaku ka udhëtuar rreth 3 herë në muaj, në destinacione të ndryshme, si Londër, Paris, Vjenë, Amsterdam, Pragë, Romë, etj, për çështje që kryesisht janë servirur se kanë të bëjnë me detyrën e tij dhe janë në interes të qytetarëve të Tiranës.
Nga të dhënat rezulton se z.Veliaj ka dalë nga Shqipëria me datë 1 janar me destinacion Stambollin dhe ka hyrë në vend me 8 janar. Me datë 26 janar ka udhëtuar sërish në drejtim të Vjenës, për t’u rikthyer tri ditë më vonë. Në mars kryebashkiaku ka fluturuar në drejtim të Milanos, ku ka qëndruar 4 ditë. Në datë 3 prill ka udhëtuar në drejtim të Romës, prej andej në Frankfurt dhe ka hyrë në Shqipëri me automjet, në pikën e Kalimit Kufitar në Qafë-Thanë. Udhëtimi ka zgjatur 5 ditë. Të dhënat flasin, edhe për disa udhëtime të kryebashkiakut me charter, udhëtime që kushtojnë jo pak për buxhetin e bashkisë. ‘News 24’ disponon të plota të gjithë lëvizjet e z.Veliaj që nga viti 2006 dhe nga përllogaritjet e bëra rezulton që ai ka harxhuar shuma të konsiderueshme parash vetëm për bileta avioni.
(BalkanWeb)