TIRANË
Dorëzohet në polici autori i vrasjes së ndodhur mbrëmjen e së hënës tek “Astiri” 29-vjeçari Noel Dishi. Sipas burimeve zyrtare nga policia, Dishi, i cili figuron edhe me 2 emra të tjerë është dorëzuar pas kontrolleve, presioneve dhe bashkëpunimit me familjen e tij.
“Strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, në vijim të veprimeve për kapjen e autorit të vrasjes së shtetasit Vilson Tafçiu (Ndokaj), ngjarje e ndodhur në orët e mbrëmjes së datës 20 janar 2020, në Astir, ka ushtruar kontrolle të pandërprera.
Si rezultat i trysnisë së ushtruar nga ana e Policisë duke kryer kontrolleve të shtuara e të pandërprera në dhjetëra objekte, banesa, hotele, dhe godina të braktisura, informacioneve të grumbulluara dhe si rezultat i bashkëpunimit me familjarët para pak minutash u dorëzua në DVP Tiranë autori i dyshuar i ngjarjes, shtetasi Noel Dishi, alias Noel Kolaveri, alias Miklovan Prifti, 29 vjeç.
Ky shtetas dyshohet se si pasojë e një konflikti të çastit ka vrarë shtetasin V. T. Në bashkëpunim me prokurorinë, vijon puna për dokumentimin e plotë të kësaj ngjarjeve”, bën të ditur policia.
Mbrëmjen e 20 janarit Vilson Tafçiu (Ndokaj), 28 vjeç u vra në zonën e Astirit sapo doli nga lokali ku po pinte kafe me dy femra. Pas këqyrjes së kamerave të sigurisë dhe hetimit mbi të kaluarën e viktimës u arrit të identifikohej autori i dyshuar Noel Dishi, i cili ishte shok me 28-vjeçarin.
(BalkanWeb)