Gazetarja Dorjana Bezat ka siguruar për “BalkanWeb” fotografinë e 49-vjeçarit Jan Prenga, i cili u rrëmbye dhe u mor peng më 17 janar në Kamëz, ndërsa policia konfirmoi sot vdekjen e tij pas dhunës barbare nga katër persona.
“Nga veprimet e thelluara hetimore ka rezultuar se personat, pas rrëmbimit të shtetasit J. P., kanë shkuar direkt në resortin në pronësi të shtetasit A. H. Po nga veprimet hetimore rezulton se personi i rrëmbyer, si pasojë e goditjeve të marra në Kamzë dhe humbjes së gjakut, ka ndërruar jetë gjatë rrugës për ta transportuar për në resort, aty ku do mbahej peng”, njoftoi policia.
Prenga ka ndërruar jetë pa mbërritur te resorti lukzos në pronësi të Altin Hajrit, i cilësuar nga autoritetet italiane si “kapo” i drogës. Ndërkohë, për ngjarjen kriminale janë Bajram Hajri, djali i tij, Leonard Hajri, Olsi Turja dhe Elton Hajri.
“Ky rrëmbim ka ardhur si pasojë e një konflikti që një nga vëllezërit e viktimës ka pasur me organizatoret dhe rrëmbyesit, si pasojë e disa konflikteve kriminale në Britaninë e Madhe”, thuhej më tej në njoftimin e policisë.
(BalkanWeb)